Pas përfundimit të Lojërave Olimpike “Paris 2024”, atletët fitues janë shpërblyer me nivele të ndryshme bujarie sipas vendeve pjesëmarrëse.
Ata stërviten gjithë jetën për mundësinë e fitimit të një medaljeje olimpike dhe ngjitja në podium është kulmi i një sërë përpjekjesh dhe sakrificash.
Më shumë se 25 vende ofruan mbi 100 mijë dollarë për atletët që u kthyen nga Parisi me një medalje të artë.
Ndërkohë, SHBA-të i shpërblyen kampionët e tyre me një çmim prej 37 mijë e 500 dollarësh.
Kjo është shumë më bujare sesa shpërblimet që u jepen atletëve nga vende si Britania e Madhe, Suedia dhe Norvegjia të cilët nuk marrin asgjë.
Shqipëria, nga ana e saj, renditet mes vendeve e cila i shpërblen bujarisht medalistët olimpikë.
Dy mundësit shqiptarë Islam Lechiyevich Dudaev dhe Chermen Akhsarbekovich Valiev i sollën Shqipërisë për herë të parë dy medalje bronzi në kategoritë përkatëse 65 kg dhe 74 kg.
Për këtë arritje historike, ata morën të mërkurën e 4 shtatorit shpërblimet sipas ligjit shqiptar të sportit në fuqi, gjatë një ceremonie solemne në Kryeministri.
Rama nderon medalistët olimpikë: Medaljet jo rastësore, Shqipëria jo më një vend që braktiset nga bijtë e vet
Dy medalistët Valiev dhe Dudaev u shpërblyen me 5 milionë lekë secili (55 mijë dollarë). Duke qenë pjesë e Klubit Sportiv të Tiranës, ata përfituan po ashtu nga bashkia kryeqytetase një apartament.
Nga ana tjetër Zelimkhan Abakarov, i cili përfundoi në vendin e tetë në dispilinën e tij, u shpërblye me 500 mijë lekë.
Leonard Çakmashi, trajneri i dyshes Dudaev – Abakarov, mori dy shpërblime sipas arritjeve të sportistve që ai trajnon, përkatësisht 2 milionë lekë dhe 200 mijë lekë.
Ermal Kryeziu, trajneri i i Valiev-it, u shpërblye me 2 milionë lekë.
Në krahasim me Shqipërinë, shtete si Franca, Shtetet e Bashkuara, Japonia, Gjermania, Australia, Koreja e Jugut u japin atletëve të tyre më pak shpërblim për një medalje të bronztë.
Atletët francezë shpërblehen me 22 mijë dollarë, atletët amerikanë me 15 mijë dollarë, atletët japonezë me 6 mijë dollarë, ndërsa ata gjermanë dhe australianë respektivisht me 11 mijë dhe 7 mijë dollarë.
Kujtojmë që, Hong Kong-u dhe Singapori ofrojnë pagesat më të larta për fituesit e tyre olimpikë.
Stimujt në para për atletët e Hong Kong-ut që konkurrojnë në Paris u rritën me 20 për qind nga Lojërat Olimpike Verore të Tokio-s.
Medalistët e artë do të përfitonin 768 mijë dollarë, njoftoi në fillim të korrikut shefi i administratës së Hong Kong-ut, Chan Kwok-ki.
Medalistët e argjendtë dhe të bronzit fitojnë përkatësisht 3 milionë dhe 1.5 milionë dollarë sipas valutës vendëse.
Singapori u jep medalistëve olimpikë 745 mijë e 300 dollarë për një medalje ari, 500 mijë dollarë për argjendin dhe 250 mijë dollarë për bronzin, sipas valutës vendëse.
Qeveri të tjera që varen me shpërblime gjashtëshifrore në para për medalistët e tyre të artë përfshijnë Izraelin, Malajzinë, Kazakistanin dhe Indonezinë.
Vendi pritës, Franca ka rritur po ashtu stimujt e saj financiare.
Medalistët e artë janë planifikuar të marrin 80 mijë euro (86 mijë e 528 dollarë) – 15 mijë euro më shumë se ajo që ofroi në Lojërat Olimpike të Tokio-s.
Disa shtete ofrojnë shpërblime për atletët jashtë vendeve të podiumit.
Fondacioni i Ndihmës Sportive të Gjermanisë shpërndan çmime deri në vendin e tetë në Lojërat Olimpike. Medalistët e artë marrin 20 mijë euro.
Sipas mediave lokale, atletët olimpikë të Indisë marrin shpërblime monetare si nga qeveria ashtu edhe nga organi i saj kombëtar sportiv.
Qeveria u jep medalistëve të artë 7.5 milionë rupi (90 mijë dollarë) ndërsa Shoqata Olimpike Indiane ofron veçmas 10 milionë rupi.