Lajme

Shpenzimet e Presidencës së Kosovës, Kupina: Kemi ulje “drastike”


Ilustrim

Këshilltari për media e Zyrës së Presidencës së Kosovës, Bekim Kupina, në rrjetin e tij social, Facebook ka publikuar shpenzimet vjetore të kësaj zyre duke thënë se ka pasur ulje drastike në të gjitha kategoritë.

Sipas tij asnjë cent nuk është shpenzuar dosido.

Për Kupinën racionalizmi i shpenzimeve është parim kryesor që e ka ndjekur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që nga dita e parë, fillimisht në Kuvendin e Kosovës e më pas në presidencë.

Nga të dhënat e publikuara, gjatë vitit 2021 për dreka dhe darka zyrtare janë shpenzuar 2 mijë e 714 euro. Për shpenzimet e karburantit janë harxhuar 5 mijë e 165 euro, ndërsa për akomodim jashtë vendit janë shpenzuar 26 mijë e 172 euro.

Kurse, për sa i përket harxhimeve për bileta për udhëtim jashtë vendit, për këtë vit janë shpenzuar 35 mijë 863 euro.

Në anën tjetër, Artan Murati, zëvendës shefi i stafit të Zyrës së Presidencës, ka bërë të ditur se zyra në fjalë do të publikojë në mënyrë proaktive shpenzimet e realizuara për dreka e darka, udhëtime jashtë vendit e karburante.

“Të gjitha udhëtimet jashtë vendit janë realizuar me fluturime në klasë ekonomike, pa shpenzuar asnjë cent të panevojshëm, dhe me delegacione të kufizuara në numër. Drekat e darkat janë shtruar kryesisht për miq të Republikës së Kosovës, për të kultivuar raportet mes shteteve. Veturat zyrtare janë  përdorur e do të përdoren vetëm e vetëm për punë dhe aktivitete zyrtare, për çfarë janë të destinuara”, ka shkruar Murati.

Ndryshe më 6 prill të vitit 2021 Vjosa Osmani e ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore