Kosova

“Shpenzime milionëshe, por me mungesë të terapive e barnave”, thotë opozita për gjendjen në Onkologji


Foto: Albanian Post.

Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, gjatë vizitës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) – në Klinikën e Onkologjisë kanë kritikuar për mungesë të barnave e mungesë të terapisë.

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë fjalës së tij ka thënë se nuk është në rregull që të shpenzohen miliona të buxhetit e sërish të ketë mungesë të terapisë.

Sipas tij, në raste të tilla përgjegjësinë e ka pushteti të tregojë se çfarë po ndodh.

“Jemi duke parë shpenzim milionësh të buxhetit dhe sërish ka ankesa për mungesë të terapisë. Atëherë, ky bartet në nivel tjetër të përgjegjësisë dhe jo në nivelin e juaj. Nga statistikat që i kemi parë, në disa barna shpenzohen miliona, ndërsa në të gjithë Evropën nuk ka shpenzim aq milionësh që paguan buxheti i Kosovës. Kjo, atëherë, krijon mungesa të përmbushjes së pjesës tjetër të terapisë”, ka deklaruar Zemaj.

Kurse deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, deklaroi se përveç mungesës së terapisë ka edhe mungesë të barnave.

“Buxheti për barna është rritur e ankesat e qytetarëve për mungesa të barnave vazhdojnë të jenë. Kjo tregon se diçka nuk është në rregull në sistemin tonë shëndetësor. Po ashtu, po ka rritje të çmimeve të barnave, siç ndodhi në rastin e fundit kur u miratua Ligji për Barna. Kur u publikua lista e barnave, ato dolën të jenë më të shtrenjta sesa që ishin më përpara”, tha Haxhiu.

Më 20 maj, është përuruar rinovimi i Klinikës së Onkologjisë, e njëjta sipas deklaratave që janë dhënë nga krerët e shtetit tash i ka 60 shtretër nga 45 sa ishin para rinovimit.

Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera.

Nga kjo sëmundje në Kosovë regjistrohen çdo vit pothuajse 1 mijë e 500 raste të reja.

Në këtë klinikë brenda 24 orësh, shërbime marrin rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore