Kosova

Shpejtim Bulliqi përdor pushtetin për të arrestuar asamblistin e LDK-së


Momenti i tensionit mes Ekrem Rrahmanit dhe Shpejtim Bulliqit

Ndonëse Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpjetim Bulliqi, e sulmoi verbalisht, e ofendoi me fjalë të rënda si “tradhtar” e “pis”, ishte asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ekrem Rrahmani, që u denoncua nga Bulliqi për gjoja sulm fizik, dhe për këtë mbajti paraburgim, por për Albanian Post, Rrahmani ka thënë se kjo ka qenë “e motivuar politikisht” dhe s’ka të bëjë fare me akuzat e të parit të komunës.

E gjithë ngjarja ka ndodhur në seancën e Kuvendit Komunal të Komunës së Podujevës ku pati një përplasje verbale mes Bulliqit dhe Rrahmanit, dhe pasi kuvendi shkoi në pauzë, asamblisti i LDK-së iu afrua Builliqit për disa sekonda, por nga pamjet e publikuara vërehet qartë se nuk ka pasur asnjë lloj sulmi fizik, për çka Rrahmani u dërgua në paraburgim.

Por, edhe ajo çka vërehet gjatë diskutimit në mes të Bulliqit dhe Rrahmanit është rreshtimi që Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Ilmi Hoxha, bën. Ndonëse gjatë debatit të dy akterët bëjnë akuza ndaj njëri tjetrit, Hoxha rreshtohet haptazi me Bulliqin, madje merr edhe urdhra nga ai që t’i ndalet mikrofoni Rrahmanit”, apo siç e quan ai me një fjalor të papranueshëm “pis”.

Kjo përplasje i kushtoi Rrahmanit me paraburgim. Por, asamblisti i LDK-së, në një intervistë të shkurtër për Albanian Post, ka thënë se e gjithë kjo është e “motivuar politikisht” nga Bulliqi dhe këtë e ka realizuar përmes shefave të tij që i ka në Qeverinë qendrore, duke qenë se vjen nga radhët e partisë që ka pushtetin në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje.

Madje, ai akuzon Bulliqin që i ka fshirë incizimet e kamerave të sallës së Kuvendit Komunal të Komunës së Podujevës vetëm e vetëm për ta manipuluar të vërtetën, ndonëse edhe në pamjet që janë publikuar duke qartë se s’ka të bëjë fare me sulm fizik.

“Në sallë janë kamerat e sallës edhe një kamerë prej tyre është bash ku jemi takuar unë me të, bash mbi krye. Por, ai i ka ndal kamerat, i ka fshi incizimet e pastaj e ka marrë videon e ‘TVLlapit’ edhe e ka përdorur kishe e kam sulmuar, apo e kam prekur me dorë – s’di çka ka thënë ai, se unë as që e kam prekur as asgjë”, thotë Rrahmani për AP.

Për ekzistimin e këtyre kamerave, zyrtari i LDK-së thotë se i ka treguar edhe policisë, të cilët kanë shkuar atje e kanë vërtetuar se ka kamera, por se “ata (pushteti) i kanë thënë se s’ka qenë duke incizuar”.

“Ajo kamera mbi krye i shfaq të gjitha, e ka edhe zërin, mundet të dëgjohet edhe se çfarë i kam thënë. Po, Bulliqi i ka fshi kamerat për me manipulu rastin”, shtoi.

Për të s’ka asnjë dilemë se pse e ka kaluar një ditë në paraburgim.

“Bulliqi e ka pushtetin, e pati këtë mundësi që të më dërgojë që të flejë mbrëmë në stacion policor”.

Ai insiston se ky rast është “përdorur politikisht komplet”.

“S’ka shpjegim tjetër. Po e ka atje Ministrin [e Punëve të Brendshme, Xhelal] Sveçla, e i ka përdorur krejt”, pohon.

Se nuk ka asgjë në këtë rast e leje më për paraburgim, Rrahmani thotë se ia kanë thënë edhe hetuesit policorë, por shton se ata kanë zbatuar urdhrin nga lartë.

“Policia hetuese thoshin se s’ka asgjë në këtë rast, për ne duhet të shkoni në shtëpi menjëherë, por prej prokurorit nuk guxonin, sepse ai e kishte pasur urdhrin që të më mbajë mua”.

Për krejt këtë situatë që Bulliqi ia ka shkaktuar, Rrahmani bëri të ditur se do ta padisë.

Ndryshe, Bulliqi është i njohur si person i dhunshëm. Ai në prill të vitit 2022 ishte dënuar për sulm me grushte ndaj një qytetari në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë (QKMF).

Gjykata e Prishtinës e kishte gjetur fajtor për këtë rast dhe e kishte dënuar me 500 euro gjobë Kryetarin e Komunës së Podujevës.

Përveç se person i dhunshëm, Bulliqi është i njohur edhe për aferat korruptive dhe nepotizmin e shumtë që e ka bërë që nga koha kur e ka marrë drejtimin e Komunës së Podujevës.

Më 9 gusht 2023, Albanian Post, kishte raportuar se si Flakron Zhitia, dhëndri i Bulliqit ishte punësuar – kundërligjshëm – në dy ndërmarrje publike.

Ndërsa, më 30 mars AP kishte raportuar se si Andi Fusha, djali i shoferit të Bulliqit, ishte punësuar në QKMF-në e Podujevës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore