Shqipëria

Shpallet ankandi për parqet eolike; Rama: Hap i rëndësishëm drejt “Shqipërisë 2030”


Ankandi për ngritjen e parqeve eolike, nëpërmjet të cilave Shqipërisë do t’i jepet një mundësi më shumë për prodhimin e energjisë, duke shfrytëzuar një tjetër burim, siç është era, u hap të hënën e 21 qershorit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri me dije se “shumë kompanive, do t’u jepet mundësia të ndërtojnë parqet që prodhojnë energji të rinovueshme të erës”.

Ndër të tjera, ministrja tha se ky ankand do të organizohet në dy faza.

“Gjatë fazës së parë, e cila do të ketë një kohëzgjatje prej 12 muajsh”, shpjegoi ajo, “do të bëhet vlerësimi i të gjithë argumenteve sa i përket eksperiencës teknike, burimeve financiare dhe pozitën ligjore të së cilës kompani pjesëmarrëse në ankand”.

Në fazën e dytë, sipas saj, do të bëhet vlerësimi i ofertave financiare nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pranishëm në ceremoni, ka deklaruar se Shqipëria do të transformohet në eksportuese neto të energjisë elektrike dhe njëkohësisht eksportuese të një energjie të gjelbër të rinovueshme.

“Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën drejt horizontit të ‘Shqipërisë 2030’ në përmbushjen për ta kthyer Shqipërinë në eksportuese neto të energjisë elektrike dhe njëkohësisht eksportuese të një energjie të gjelbër të rinovueshme”, tha ai, gjatë ceremonisë së hapjes së ankandit për ngritjen e parqeve eolike.

Ky ka qenë një nga premtimet e kryeministrit gjatë fushatës zgjedhore të 2021-shit.

Po ashtu, Rama ka falënderuar dhe mbështetësit e këtij ankandi, ku sipas tij, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është mbështetëse konstantë e Shqipërisë, ndërsa në këtë projekt i është bashkuar dhe qeveria zviceranë.

Rama nuk ka lënë pa përmendur dhe projektin e Hidrocentralit të Skavicës, të cilin e ka cilësuar dhe si mundësi të mirë për të ulur varësinë nga moti, si dhe për të krijuar rezerva për periudhën me mungesë të reshjeve të shiut.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore