Kosova

Shoqëria civile sërish kërkon anulimin e konkursit për drejtorin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore


Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), kanë shprehur shqetësimin për konkursin e pozitës së drejtorit të Fondit të Sigurimeve dhe kanë kërkuar anulimin e këtij konkursi.

Sipas këtyre organizatave konkursi cenon legjislacionin dhe është në kundërshtim me parimin e meritokracisë.

“Ligji Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik (ligji i ri), sa i përket vlefshmërisë së kësaj rregulloreje, thekson që me kusht të mos jenë në kundërshtim në këtë ligj vlejnë aktet nënligjore në zbatim të Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik. Meqenëse rregulloret e reja ende nuk janë hartuar paragrafi 2 i nenit 103 të Ligjin Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik mbetet ende në zbatim”, është thënë nga organizatat.

Sipas tyre, kërkesa e paraqitur në konkurs, konkretisht ulja e përvojës së punës, është në kundërshtim me Rregulloren për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil.

“Më saktësisht, me konkursin e ri kërkohen së paku pesë vite përvojë pune profesionale dhe dy vite përvojë pune menaxheriale thënë këtë, kjo Rregullore i përcakton kërkesat e përgjithshme formale për secilën klasë të shërbimit civil duke mos u kufizuar vetëm në shërbimin civil por përfshinë edhe pozitat e nëpunësve të shërbimeve publike ku përfshihet edhe pozita Drejtor Ekzekutiv ose Sekretar i Përgjithshëm”.

“Rregullorja në fjalë (shtojca Nr.1/2, pika IV) i përcakton kërkesat e përgjithshme formale si në vijim:. c) Përvoja e punës e kërkuar: Së paku tetë (8) vite përvojë pune profesionale, duke përfshirë së paku pesë (5) vite përvojë pune në pozita drejtuese”.

Ndërsa kanë sqaruar se kjo është hera e dytë që Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka ulur kriteret për këtë pozitë.

“Në shkurt te vitit 2023, FSSH në konkursin e hapur për këtë pozitë, kishte kërkuar 5 vite përvojë pune profesionale dhe së paku tri vite përvojë pune menaxheriale. Por që në mars 2023, pas dështimit të procedurës si pasojë e reagimit të CorrWatch, FSSH kishte rregulluar konkursin duke kërkuar tetë vite përvojë pune profesionale dhe pesë menaxheriale”.

Po ashtu, nga organizatat është pretenduar se kjo mund të ngris dyshime për kurdisje të kritereve për kandidatë të caktuar dhe gjetje nga jashtë të kandidatit preferencial që i përshtatet përvojës së zvogëluar.

“Ulja e kriterit të përvojës në mënyrë të paligjshme dhe të pajustifikueshme, për një pozitë siç është pozita e Drejtorit të FSSH, e rrënon praktikën e përgjithshme për pozitat e nivelit drejtues në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”.

Si i tillë, ato kanë kërkuar rishpalljen e konkursit, ose hetim nga prokuroria.

Edhe me 20 shkurt, tri grupe të shoqërisë civile kanë kërkuar që të anulohet procesi rekrutues për drejtor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë, kjo për shkak të paligjshmërisë dhe të shkeljes së parimeve.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është institucion publik i sigurimit shëndetësore “siguron grumbullimin efikas dhe transparent” të mjeteve financiare për sigurimin shëndetësor të obligueshëm.

Klinikat të cilat referojnë më së shumti pacientë për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike janë: Ortopedia, Pediatria, Oftalmologjia, Hematologjia, Neurokirurgjia dhe Urologjia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore