Pajisje

Shkelja e T-Mobile godet 53 milionë klientë pasi hetimi gjen ndikim më të gjerë


Kompania e telefonisë celulare, T-Mobile US Inc, ka njoftuar se një hetim i vazhdueshëm mbi një shkelje të të dhënave ka nxjerrë se hacker-at kishin qasje në informacionet personale të një shtesë prej 5.3 milionë klientësh, duke e çuar numrin e përgjithshëm të njerëzve të prekur në më shumë se 53 milionë.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se kompania kishte thënë këtë javë se të dhënat personale të më shumë se 40 milionë klientëve të mëparshëm dhe të ardhshëm ishin vjedhur së bashku me të dhënat nga 7.8 milionë klientë ekzistues pa tel.

Në përditësimin më të fundit, i cili vjen disa ditë pasi Komisioni Federal i Komunikimeve i SHBA (FCC) hapi një hetim për shkeljen, T-Mobile ka zbuluar se kishte identifikuar 5.3 milionë abonentë shtesë pa tel, të cilët janë prekur nga shkelja, si dhe 667 mijë llogari të tjera të ish-klientëve.

Lidhur me të dhënat, ato përfshijnë adresat, datat e lindjes dhe numrat e telefonit të klientëve dhe kompania ka bërë me dije se nuk kishte asnjë indikacion se të dhënat e aksesuara përmbajnë informacion financiar, të tilla si kartë krediti ose të dhëna të tjera pagese.

Për këtë, disa klientë të T-Mobile paditën kompaninë për dëmshpërblim në gjykatën federale të Seattle-it, duke thënë në një padi klasore se sulmi kibernetik shkelte privatësinë e tyre dhe i ekspozonte ata ndaj një rreziku më të lartë të mashtrimit dhe vjedhjes së identitetit.

T-Mobile është viktima e fundit e sulmeve kibernetike ndaj korporatave të mëdha në Shtetet e Bashkuara pasi hacker-at shfrytëzojnë privatësinë dhe sigurinë e dobësuar të sistemit të përdoruesit për shkak të politikave të punës nga shtëpia të krijuara që nga fillimi i pandemisë.

Në vitin 2018, kompania kishte informuar për një shkelje të mundshme të sigurisë që mund të kishte prekur afro tre për qind të 77 milionë klientëve të saj.

“T-Mobile ka pasur gjashtë shkelje të tjera të të dhënave në katër vitet e fundit”, ka thënë Doug Schmidt, profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin Vanderbilt.

“Duket se sistemi i tyre i IT-së është veçanërisht i prekshëm pasi ata nuk kanë qenë në gjendje të korrigjojnë çështjet e tyre të njohura të sigurisë gjatë kësaj periudhe kohore, të cilat duhet të jenë shqetësuese për klientët”, ka shtuar ai.

Kurse T-Mobile ka treguar në një dosje rregullatore se teksa hetimi ishte në vazhdim, ishte i sigurt se “kishte mbyllur qasjen”.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore