Lajme

Shkatërrohet një nga platformat “më të mëdha” online të hakerëve


Një nga platformat më të mëdha të hakerëve në botë, e cila shiti miliona kredenciale të vjedhura të llogarive, është mbyllur pas një operacioni të madh ndërkombëtar.

Genesis Market shiti identitetet e më shumë se dy milionë njerëzve për vetëm 0,70 dollarë, duke lejuar hakerat të synojnë llogaritë bankare dhe të kryejnë mashtrime në internet, thanë autoritetet e shume shteteve.

Kjo goditje globale rezultoi në 119 arrestime dhe përfshiu më shumë se 17 vende, tha në një deklaratë Europol, nga selia e tij në Hagë.

208 prona u bastisën gjatë këtij operacioni “të paprecedentë” të kryer nga FBI dhe policia holandeze dhe që filloi në vitin 2019, nënvizoi Europol.

Faqja ishte e bazuar në Rusi, sipas Thesarit Amerikan, e cila tha se vendosi sanksione ndaj Genesis Market.

“Genesis Market kishte nxjerrë në shitje identitetin e më shumë se dy milionë njerëzve në momentin e mbylljes së tij”, nënvizoi zyra e policisë evropiane.

Aksione kundër kriminelëve janë zhvilluar edhe në vende si Australia, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 10 vende të Evropës.

24 arrestime u bënë në Mbretërinë e Bashkuar, sipas agjencisë britanike të krimit, dhe 17 në Holandë, tha policia holandeze.

Njerëzit që përpiqeshin të hynin në platformë të mërkurën u ulën në një ekran ku shkruhej “Kjo faqe interneti është sekuestruar” dhe “+Operation Cookie Monster+”, si dhe një foto e një personi të veshur me një kapuç të FBI-së, i ulur përpara një kompjuteri.

Platforma ofronte për shitje “robotë” që infektonin pajisjet e viktimave përmes malware dhe metodave të tjera, tha Europol.

Çmimet e tyre mund të shkojnë deri në disa qindra dollarë në rastin e informacionit të vlefshëm të llogarisë bankare, shtoi policia evropiane.

Ndryshe nga shërbimet e “dark web”, Genesis ishte lehtësisht i aksesueshëm në web, por mbrohej nga zbatimi i ligjit duke qenë i aksesueshëm “vetëm me ftesë”, tha Europol. “Aksesi dhe përballueshmëria e tij kanë ulur ndjeshëm pragun e hyrjes për blerësit, duke e bërë atë një burim popullor mes piratëve”.

Tregu kriminal i Genesis ishte deri në mbylljen e tij të martën “një nga më të rrezikshmit”, sipas Ruben van Well, kreut të ekipit kibernetik të policisë holandeze, duke shpjeguar se ai lejonte veçanërisht porositë online në emër të viktimave.

Një burrë 71-vjeçar, për shembull, humbi gati 70 mijë euro në llogarinë e tij të investimeve, me artikuj të porositur nga dyqanet online në emrin e tij, tha ai.

Në disa raste, madje ishte e mundur të “grabiteshin llogari të tëra bankare, kriptosh ose investimesh”, vuri në dukje Ruben van Well.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore