Lajme

Shkarkohet Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së


Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës në një mbledhje të mbajtur në orët e mbrëmjes së 19 janarit ka shkarkuar Drejtorin e Përgjithshëm të Televizionit publik të Kosovës (RTK), Ngadhnjim Kastrati.

Ndërsa, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së është emëruar Shkumbin Ahmetgjekaj.

Ngadhnjim Kastrati ka marrë zyrtarisht detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së në prill të vitit 2019, ndërsa mandati tij do të skadonte në muajin prill.

Ndërsa lajmin e ka konfirmuar edhe vetë Ngadhnjim Kastrati përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ai ka shkruar se nuk ishte njoftuar paraprakisht për ndonjë procedurë të shkarkimit “dhe as nuk ka pasur në rend të ditës pikë për shkarkimin tim”.

Kastrati tutje ka thënë se qëkur ka ardhur në funksion Bordi i ri, ai është ballafaquar me shantazhe dhe presion për t’i larguar nga puna qindra punëtorë.

“Por unë ju kam thënë qartë anëtarëve politikë të këtij Bordi se unë nuk e largoj asnjë person nga puna”.

“Arsyeja është e thjeshtë: Ata punojnë prej shumë vitesh dhe janë të nevojshëm, ndërsa me ato paga mbajnë familjet e tyre, e që është mjaft e vështirë në këtë situatë të rëndë ekonomike”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka thënë se Bordi i ri para disa ditësh i ka kërkuar t’ia dërgojë projeksionin buxhetor ku përfshihen vendet e punës.

“Gjitha projeksionet buxhetore e programore ua kam dërguar pa e larguar asnjë punëtor nga puna, edhe pse qeveria aktuale për këtë vit e ka zvogëluar buxhetin e RTK-së për më shumë se 2 milionë euro”, thuhet ndër të tjera në postimin e tij.

Mbledhja e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës ishte paralajmëruar me 18 janar me anë të një njoftimi.

Por, nuk e kishte në rend të ditës shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

“Bordi i Radio Televizionit të Kosovës me 19 janar 2022, duke filluar nga ora 17:00 do të mbajë mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje do të shqyrtohet edhe plani strategjik për periudhën 2022 – 2024 i punës së Njësisë së Auditimit të Brendshëm dhe plani vjetor për periudhën 01.01.2022 – 31.12.2022”.

“Gjithashtu, do të diskutohen edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimet në RTK”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore