Lajme

Shkarkimi i kryetarëve në Veri, Szunyog: KQZ-ja të krijojë kushte për votim të lirë e të drejtë  


Tomas Szunyog

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka përshëndetur vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor, i cili vendosi që më 21 prill të mbahet votimi për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në Veri të Kosovës, pas procesit të suksesshëm të mbledhjes së nënshkrimeve sipas Udhëzimit Administrativ.

“Vlerësoj procesin e plotë të verifikimit të nënshkrimeve nga ana e KQZ-së dhe vendimin e tyre për të caktuar datën e votimit të shkarkimin të kryetarëve të komunave”, ka shkruar Szunyog fillimisht në platformën sociale, X.

Tash në këtë fazë, sipas diplomatit çek, është e thelbësore që KQZ-ja të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të qetë dhe për të krijuar kushtet për votim të lirë dhe të ndershëm.

“BE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje gjatë gjithë këtij procesi”.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka njoftuar se në Komunën e Leposaviqit, që udhëhiqet nga Lulzim Hetemi, peticionin për nisjen e procedurave për largimin e kryetarit e kanë nënshkruar 3 mijë e 30 persona, prej tyre, është vërtetuar se 2 mijë e 95 janë banorë të kësaj komune.

Ky numër ka qenë i mjaftueshëm për ta arritur 20 për qindëshin e kërkuar, e kjo shifër arrihej me 2 mijë e 689 nënshkrime.

Ndërsa, në Zubin Potok, komunë nën drejtimin e Izmir Zeqirit, nga gjithsejtë 1 mijë e 576 nënshkrime, 1 mijë e 380 janë vërtetuar se janë qytetarë me të drejtë vote. Duke pasur parasysh numrin e përgjithshëm të votuesve, në këtë komunë për ta arritur 20 për qindëshin duheshin  1 mijë 347 nënshkrime.

Sa i përket komunës që udhëheqë Ilir Peci, pra Zveçanit, u vërtetuan 1 mijë e 380 nënshkrime nga gjithsejtë 1 mijë e 834 sa ishin. Që peticioni të kalonte, në këtë komunë kërkohej që të firmosshin së paku 1 mijë 347.

Ndërsa, te Komuna më e madhe Veriore – Mitrovica e Veriut, është vërtetuar se 3 mijë e 653 nënshkrues ishin banorë me të drejtë vote nga 4 mijë e 148 sa ishin në total. Numri i nevojshëm për të kaluar peticioni ishte 3 mijë e 640.

Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryeartëve në katër komunat në Veri, u bë janarin e këtij viti. Këto nënshkrime ishin mbledhur në një periudhë të shkurtër kohore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore