“Shkakton kaos, është e kundërligjshme”, opozita e shoqëria civile kritikojnë qeverinë për mossigurimin e librave për nxënësit
Shoqëria civile dhe opozita kanë kritikuar vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), që sërish procesi i pajisjes me tekste dhe materiale shkollore për nxënësit të bëhet përmes subvencionimit (duke ia transferuar të hollat në xhirollogari të prindërve).
Vendimin për të ndarë mbi 6 milionë euro për sigurimin e librave për nxënësit, Qeveria e Kosovës e mori javën e kaluar, ndërsa të mërkurën njoftoi se është hapur edhe shërbimi në platformën e-Kosova për të aplikuar për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore.
Mirëpo, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kanë theksuar se ky vendim i ekzekutivit do t’i lë nxënësit pa libra në fillim të vitit shkollor.
Këtë e tha nënkryetarja e PDK-së, Besianë Musmurati, në një konferencë për media të mërkurën nga selia qendrore e kësaj partie.
Musmurati deklaroi se 1 shtatori sërish do të fillojë me kaos, konfuzion, e pa libra shkollorë.
“Ky është shtatori i tretë me radhë që na gjen me kriza në arsim. Grevat e mësimdhënësve në 2022, mungesa e librave në 2023, dhe siç po duket prapë mungesa e librave në 2024. Pra fatkeqësisht, çdo shtator po e gjen Qeverinë e Kosovës dhe Ministren Nagavci të papërgatitur”.
“Përderisa rezultatet e testit PISA na kanë alarmuar, Ministrja Nagavci ka vendosë me vazhdu eksperimentimin e saj të pakuptimtë, për mos sigurimin e librave shkollore ne kohe. Në vend se të bëjmë hapa para me reformë strukturore, Ministrja Nagavci po na kthen mbrapa me vendime të gabuara. Pra, edhe njëherë nxënësit e klasave 1 deri në klasën e 9-të do të fillojnë vitin pa libra”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, Qeveria Kurti është duke i shpenzuar mbi 20 milionë euro për blerje të librave të njëjtë që në vitin 2017 janë blerë me rreth 3.5 milionë euro, për mbi 100 mijë nxënës më shumë se tani.
“Ministrja na tregoi që janë 218 mijë nxënës që do të subvencionohen me nga 80 apo 110 euro. Nëse e marrim një mesatare që çdo nxënës do të subvencionohet me nga 95 euro, atëherë i bie që buxhetit të shtetit do ti kushtojë 20 milionë e 776 mijë mije euro pajisja me libra. Pra edhe vonë, edhe gati tre fish më shtrenjtë se nga vitet e kaluara”.
“Për shembull, librin e abetares, me shumicë Ministria me herët e ka blerë me rreth 7 euro, kurse vitin e kaluar prindërit në librari e kanë blerë me rreth 11 euro. Kjo do të thotë për çdo abetare të blerë, prindërit e kanë paguar rreth 4 euro më shumë. Dhe dje prapë na u tha, qe kjo praktikë e dëmshme do të vazhdojë edhe sivjet”, sqaroi Musmurati.
Nëkryetarja e PDK-së potencoi se ka pasur nxënës që edhe në periudhën e dytë u kanë munguar disa nga librat.
“Për më tepër, në një moment edhe u tha se rimbursimet e fundit të prindërve për vitin e kaluar janë bërë në maj të këtij viti. Pra, mund të konkludojmë që ka pasur nxënës që, që nga shtatori deri në maj, pra një muaj para se të përfundojë mësimi nuk ka pasur fare libra”.
Këtë vendim e kundërshtoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës nga radhët e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deklaroi se Ministria e Arsimit ka dështuar t’i sigurojë tekstet shkollore për nxënësit, dhe se është shqetësuese se një gjë e tillë është duke ndodhur për herë të dytë radhazi.
Në një konferencë për media nga selia e LDK-së, së bashku me disa mësimdhënës, Lushaku-Sadriu, pas vendimit të Ministrisë së Arsimit që sërish nxënësit të subvencionohen për librat, e ka cilësuar si të paaftë udhëheqjen e këtij dikasteri, për shkak të këtij veprimi.
“Shprehim shqetësimin tonë që për herë të dytë, Ministria e Arsimit dështon t’i sigurojë tekstet shkollore për nxënësit e Kosovës. Kjo tregon që kjo ministri është e paaftë të përmbushë obligimin e saj ligjor për t’i siguruar librat”.
“Tek e fundit është tepër e rëndësishme jo sa para marrin prindërit, por a i kanë fëmijët librat në bankat shkollore më 1 shtator, rrjedhimisht më 2 shtator, dhe kjo del që është e sigurt që nxënësit nuk do t’i kenë librat, do të ketë vonesa në furnizim sepse prindërit edhe deri sot nuk i kanë informacionet bazike se kur do t’i marrin librat, kur do të subvencionohen, cila do të jetë procedura e aplikimit për subvencion dhe probleme të tjera që dalin nga kjo”, tha Lushaku Sadriu.
Duke folur për problematikat e vitit të kaluar në lidhje me këtë çështje, ajo potencoi se në mungesë të informacionit ka pasur raste kur prindërit kanë blerë libra të gabuar.
“Ky vendim është marrë në një kohë shumë të vonë, jemi vetëm dy javë para fillimit të shkollës. Garanton që prindërit nuk arrijnë që t’i blejnë të gjitha tekstet dhe nxënësit nuk mund të arrijnë mësimin me kohë. Mbi 50 për qind nuk kanë qenë të furnizuar me libra. Në Kosovë ka ende komuna të vogla që nuk kanë librari dhe çdo furnizim nëpër librari të tjera është një kosto edhe më e madhe”, shtoi.
Nuk ka asnjë garanci, theksoi ajo, që çmimi minimal i librave nuk do të ndryshojë.
“Vetëm vjet kanë shpenzuar 17 milionë euro për subvencionimin e librave. Sivjet po rritet edhe më shumë kostoja. Kjo metodë është më e shtrenjtë dhe me dëme të jashtëzakonshme për prindërit dhe nxënësit”, ka potencuar ndër të tjera ajo.
Ndërsa, disa organizata jo-qeveritare në Kosovë – Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe INDEP-i – nën iniciativën CorrWatch, e kanë konsideruar si një proces të kundërligjshëm.
“Ky veprim nuk është vetëm shkelje e detyrimeve ligjore nga MASHTI, por është gjithashtu shkakton një barrë të panevojshme për prindërit, që për më tepër mund të ndikojë në fillimin me kohë të procesit mësimor duke ndikuar negativisht tek nxënësit”, thuhet në komunikatën e leshtuar për media të mërkurën.
MASHTI, për të dytin vit radhazi, sipas CorrWatch, po bën “shkelje ligjore” pavarësisht se kishte një vit të tërë në dispozicion “për të siguruar që ky proces të ishte në përputhje me ligjin dhe interesin publik”.
“Në planin e prokurimit për vitin 2024 MASHTI kishte planifikuar aktivitetin e prokurimit ‘Blerja e librave prej klasës 1-9 për vitin 2024/25’ me vlerë 9 milionë e 486 mijë e 885 euro, një proces i tillë nuk u realizua. Aktiviteti ishte planifikuar të filloj me 28 qershor 2024, mirëpo MASHTI nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim për fillimin e procedurave të prokurimit, duke e neglizhuar tërësisht këtë aktivitet të planifikuar”.
Në vend që të përmbushë obligimin ligjor Ministria e Arsimit, sipas CorrWatch, ka preferuar të ndjekë të njëjtën praktikë të subvencionimit si vitin e kaluar, pa dhënë asnjë arsyetim të bazuar për këtë vendim.
“Në këtë rast, pyetja për ministrinë do të ishte se si është dëshmuar që kjo mënyrë është e duhura, kur aq më tepër nuk ka një vlerësim zyrtar mbi rrjedhën e procesit të vitit të kaluar”, përfundon komunikata.
Ndryshe, deri në vitin shkollor 2023/24, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.
Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.
Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit e udhëhequr nga Arbërie Nagavci ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com