Lajme

Shifra alarmante nga COVID-19 në SHBA, mbi 800 mijë vdekje


Më shumë se 800 mijë amerikanë kanë humbur jetën nga coronavirus-i.

Kjo shifër “alarmante” vjen pasi SHBA-ja ka arritur në 50 milionë raste të konfirmuara me COVID-19 gjatë të hënës së 13 dhjetorit.

Shumica e vdekjeve të regjistruara janë kryesisht në mesin e të pavaksinuarve dhe të moshuarve. Si rezultat, shifrat e vdekjeve janë më të larta në 2021-shin sesa një vit më parë.

SHBA po sheh sërish rritje të vdekjeve në një shkallë alarmante.

100 mijë vdekjet e fundit kanë ndodhur gjatë 11 javëve të kaluara – një ritëm më i shpejtë sesa çdo herë tjetër.

Kanë kaluar më shumë se 650 ditë qëkur vdiq pacienti i parë amerikan nga COVID-19. Edhe pse njerëzit janë vaksinuar, sërish janë shënuar 300 mijë vdekje të tjera.

Epidemiologu në “Johns Hopkins”, Keri Althoff, tha se “valët e shpërthimit që po i shohim, do të vazhdojnë derisa imuniteti i popullatës të jetë mjaftueshëm i lartë për t’i parandaluar ato. Shumë thjesht, nuk kemi arritur akoma aty”.

Në prill 2021, u miratuan edhe dy vaksinat e tjera, Moderna dhe Johnson & Johnson, të cilat u vunë në dispozicion për të rriturit e të gjitha moshave.

Numri i vdekjeve në SHBA tejkalon çdo vend tjetër.

Cilat janë vendet me shifrat më të larta?

Shifrat më të larta të regjistruara janë në Brazil, ku ka pasur 616 mijë vdekje. Më pas vjen India me 475 mijë vdekje.

Për sa u përket vdekjeve për frymë, SHBA aktualisht renditet e 20-ta në botë, pas disa vendeve të Amerikës së Jugut dhe Evropës, sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”.

Të moshuarit kanë qenë gjithmonë më të rrezikuarit, pavarësisht se janë grupi më i vaksinuar.

Sipas BBC, “besimi në shkencë dhe politikë është zbehur te njerëzit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore