Shqipëria

Shfuqizimi i dispozitave për Komisionet Hetimore, Bardhi: Është asgjësuar institucioni i Presidentit


Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar disa dispozita në Ligjin për Komisionin Hetimor.

Ai është shprehur se dispozitat ishin kundërshtuar nga opozita që në fillim, teksa ka shtuar se në Shqipëri është asgjësuar institucioni i Presidentit të Republikës.

“Mazhoranca socialiste e ka bërë tashmë rregull shkeljen e Kushtetutës dhe tentativën për ti mbyllur çdo hapësirë opozitës. Ky vendim i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese na provoi edhe atë që prej kohësh kemi thënë me zë të lartë: Në Shqipëri është asgjësuar institucioni i Presidentit të Republikës”, ka thënë ai.

Sipas Bardhit, në kulmin e një krize parlamentare, Presidenti i Republikës u ftua të luante rolin e tij kushtetutës, të mos shpallte një ligj antikushtetutes dhe antidemokratik, që synonte të asgjësonte opozitën, duke i dhënë shansin palëve politike të gjenin një zgjidhje për krizën parlamentare dhe jo të thellonin këtë krizë me veprime antikushtetuese të mazhorancës.

“Por Presidenti i Republikës Bajram Begaj, në vend që ti qëndronte besnik betimit për të respektuar Kushtetutën, zgjodhi ti qëndronte besnik betimit për të shërbyer si një ushtar i Edi Ramës. Fatmirësisht, edhe në këtë rast, keqpërdorimi i Presidentit të Republikës, ishte i përkohshëm dhe pa asnjë vlerë. Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë, duke gjetur në antikushtetutshmëri dyshen Rama-Begaj”, ka shtuar ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore