Sport

Shevchenko pritet të marrë drejtimin e kombëtares së Polonisë


Vetëm pak ditë pasi u shkarkua nga posti i trajnerit të Genoa-s, Andriy Shevchenko, ka arritur marrëveshje me kombëtaren e Polonisë.

Shevchenko pritet shumë shpejtë të zyrtarizohet si trajner i Polonisë, që do të jetë hera e dytë që drejton një kombëtare, pas asaj të Ukraniës që qëndroi për pesë vite.

45 vjeçari nga Kievi thuhet se ka arritur akordin me Federatën e Futbollit të Polonisë, ku do të jetë zëvendësues i portugezit Paulo Sousa, i cili mori drejtimin e skuadrës braziliane, Flamengo.

Ish sulmuesi i njohur i Milan-it, provoi aventurën e tij si trajner në Itali, ku për një periudhë prej tre muajsh drejtoi klubin e Genoa-s.

Në 11 ndeshje në të gjitha garat, Sheva arriti vetëm një fitore dhe tre barazime me klubin më të vjetër në Itali, rezultat ky që solli shkarkimin e tij.

Tani ai do të ketë punë me ekipin kombëtar të Polonisë, me të cilët pritet të fillojë aventurën në muajin mars.

Polonia mbylli eliminatoret e Kupës së Botës në vendin e dytë të Grupit I, një vend sipër Shqipërisë, duke siguruar një biletë për fazën “play-off”.

Më 24 mars polakët do të zhvillojnë ndeshjen shumë të rëndësishme me Rusinë dhe në rast të fitores ata do të përballen me fituesin e duelit Suedi – Republika Çeke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore