Lajme

Sheshi zgjatet deri te rrethi me flamur për 5 orë në Prishtinë


Mbyllja e rrugës në Prishtinë për makina.

Për 5 orë sheshi i kryeqytetit do të zgjatet deri tek rrethi me flamuri, kështu duke mos mundësuar qarkullimin e veturave në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë, në kuadër të ditës pa makina.

Ndalimi i qarkullimit të veturave ka nisur në orën 10:00, teksa policia tashmë ka nisur me ndaljen e veturave.

Për këtë arsye, komuna e Prishtinës të enjten edhe ka ndërruar linjat e autobusëve për qarkullim.

Me këtë rast edhe linjat e autobusëve do të ndërrojnë qarkullimin.

Lajmin se kryeqyteti këtë të premte do të zgjerohet e kishte bërë të ditur komuna e Prishtinës përmes një komunikate për media.

“Të premten, më 22 shtator nga ora 10:00 në Prishtinë do të organizohet aktiviteti “Dita pa makina”, një ngjarje ndërkombëtare, e cila organizohet në 2000 qytete të Botës, dhe që ka për qëllim inkurajimin e qytetarëve që t’i përdorin sa më pak makinat për transport, e në vend të tyre të shfrytëzojnë transportin publik apo biçikletat”.

“Me rastin e organizimit të këtij aktiviteti, të premten, nga ora 10:00 deri në 15:00, vetëm rruga “Dëshmorët e Kombit”, do të jetë e mbyllur për qarkullimin e veturave”.

Po ashtu, ka informuar se qytetarët mund të marrin biçikleta ose trotinetet pa pagesë gjatë këtyre orëve.

“Ndërsa, ju qytetarë të dashur mund të merrni me qera, pa pagesë, njërën nga 160 biçikletat ose 60 trotinetet për qarkullim nga fillimi i kësaj rruge deri në fund (rrethi i Flamurit)”.

Përparim Rama në garën për zgjedhje lokale njërin ndër projektet kryesore e kishte pasur “ridefinimin e qendrës së qytetit”.

Ai kishte paraparë që qendrën e Prishtinës ta bëjë gjithë hapësirë brenda unazës së brendshme të qytetit.

“Kjo qendër e re do ta ndryshojë hierarkinë e lëvizjes në trafik: këmbësori do të jetë i pari, transporti publik dhe ai alternativ i dyti, kurse veturat të tretat”, thuhej në programin e Ramës.

Ndërkaq, për asfaltin ka premtuar se do të shndërrohet në gjelbërim, në kalldrëme, e në materiale që njihen si të këmbësorëve.

Edhe për problemin e parkingut të veturave, Rama ka premtuar se do ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë.

Vetëm në lagjen Ulpiana ai ka premtuar ndërtimin e 430 vend-parkimeve.

Por, përveç kësaj ai ka premtuar se do t’i ndërtojë vend-parkingjet në gjashtë pikat kryesore rreth unazës së brendshme të Prishtinës, në të cilat distanca do të jetë rreth 500 metra nga secila pikë e qendrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore