Lajme

Shembja e Rrjedhës së Gjirit dhe ndikimi global i saj


Shkencëtarët e “Nature and Climate Change”, kanë zbuluar një të dhënë tejet negative dhe që pritet të ketë implikime dhe ndikim në rritjen globale të temperaturave.

Rrjedha ose Rryma e Gjirit është një sistem i rrymave në Oqeanin Atlantik që ndihmon në kontrollin e temperaturave në Hemisferën Veriore.

Por, kjo rrjedhë që prek të gjithë sistemet e motit të planetit, po tregon shenja paqëndrueshmërie për shkak të ndryshimeve klimatike.

“Bllokimi i tij do të kishte pasoja të tmerrshme për motin dhe jetën në Tokë”, sipas studimit të fundit të shkencëtarëve.

Qarkullimi Përmbysës Meridional Atlantik (AMOC) – Rrjedha e Gjirit është një pjesë kryesore e tij – ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit të energjisë në Oqeanin Atlantik.

Shpesh përshkruhet si një “rrip transportues” që merr ujë të ngrohtë sipërfaqësor nga tropikët dhe e shpërndan atë në Atlantikun verior. Uji më i ftohtë dhe më i kripur më pas zhytet dhe rrjedh në jug.

Studimi paralajmëroi për “një humbje pothuajse të plotë të stabilitetit të AMOC-së gjatë shekullit të kaluar”.

Studiuesit thonë se mund të jetë afër një kolapsi nga një qarkullim i fortë në një qarkullim të dobët, megjithëse pragu për një kolaps të tillë është ende i pasigurt.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej vitesh se qarkullimi po dobësohet. Shiu i fortë dhe shkrirja e akullit po e bëjnë ujin në Oqeanin Atlantik të Veriut më pak të kripur, gjë që e bën atë më të lehtë dhe më pak të ngjarë të fundoset. Nëse uji në këtë rajon bëhet shumë i lehtë, i gjithë qarkullimi mund të ndërpritet.

Modelet globale të motit janë të lidhura në mënyrë kritike me qarkullimin dhe transportin e tij të nxehtësisë dhe lëndëve ushqyese në të gjithë planetin.

Një kolaps i këtij sistemi do të rezultonte në ndryshime të rëndësishme dhe të papritura, duke përfshirë rritjen e shpejtë të nivelit të detit, dimra më ekstremë në Evropën Perëndimore dhe ndërprerje të sistemeve të musonëve në tropikët.

Ky skenar ishte premisa e filmit fantastiko -shkencor klimatik të vitit 2004 “Day after Tomorrow”, në të cilin një seri katastrofash ekstreme të motit godasin pas ndryshimit të klimës që shkaktuan shembjen e AMOC-së.

Qarkullimi është më i dobët se sa ka qenë në rreth 1 mijë vjet, kishin deklaruar më herët shkencëtarët, por ata nuk e dinin nëse ai ishte destabilizuar apo po pësonte ndryshime natyrore.

“Dallimi është thelbësor”, tha autori i studimit, Niklas Boers nga Instituti i Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit në Klimë, për CNN.

Boers shtoi se ai vetë ishte i befasuar nga gjetjet e tij se AMOC-ja ishte destabilizuar dhe “po lëvizte drejt pragut të tij kritik, në të cilin mund të shembet papritur”.

Një kolaps i qarkullimit do të nënkuptonte ftohje të konsiderueshme në Evropë, tha Beors, “por ndoshta më shqetësues është efekti i një kolapsi AMOC në sistemet tropikale të musoneve të Amerikës së Jugut, Afrikës Perëndimore dhe Indisë”.

Veçanërisht në Afrikën Perëndimore, një kolaps AMOC mund të çojë në kushte të thatësirës së përhershme.

Studimi vjen përpara një raporti të madh nga Paneli Ndërkombëtar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike të hënën, i cili ka vite që po përgatitet dhe pritet të japë pamjen më përfundimtare deri më tani në masën e ndryshimeve klimatike të bëra nga njeriu.

Ai gjithashtu ka të ngjarë të paraqesë një tablo të së ardhmes, në varësi të veprimeve që ndërmerr bota për të zvogëluar emetimet e gazrave serë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore