Zgjedhjet në Shqipëri

Shehu tërhiqet nga ankesa për Lezhën, KAS pushon çështjen


Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka vendosur të pushojë shqyrtimin e kërkesës ankimore numër 53, për qarkun e Lezhës, mbi shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në atë zonë.

Kërkesën për këtë, e ka bërë kandidati i pavarur i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje, Iljaz Shehu. Gjithsesi, ky i fundit, është tërhequr nga ankimimi i çuar pranë KAS-it.

Shehu ka pretenduar më parë me anë të kërkesës, se zgjedhjet në qarkun e Lezhës kanë shfaqur parregullsi të mëdha. Për këtë arsye, ai ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në gjithë qarkun. Kjo, me pretendimin se ai mund të merrte mandat.

Arsyet e tërheqjes së kandidatit për deputet në zgjedhjet e 25 prillit, ende nuk janë bërë të ditura.

Seanca e radhës për shqyrtimin e ankesave nga KAS-i, pritet të jetë të hënën e 31 majit, në orën 10:00.

Deri më tani, kërkesat e shqyrtuara mbi parregullsitë e pretenduara nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk i kanë faktuar parregullsitë.

Rinumërim ka pasur me kërkesë të LSI-së për qarkun e Beratit dhe të Durrësit. Rezultati, edhe pas rinumërimit të disa kutive, nuk ka ndryshuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore