Sport

Shehi për përballjen me Kastriotin: Futbolli si provim, një ndeshje e vështirë


Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, ka folur për mediat para ndeshjes që bardheblutë do të luajnë ditën e shtunë me Kastriotin.

Skuadrat do të ndeshen për llogari të javës së tretë në Abissnet Superiore dhe për teknikun Shehi, skuadra kundërshtare nuk duhet neglizhuar.

Edhe pse një ndeshje e lehtë në letër, tekniku i kryeqytetasve ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin.

“Kampionati është një maratonë e gjatë dhe futbolli i ka të tria rezultatet”, tha Shehi, duke shtuar se “Kemi ndeshjen e radhës, atë me Kastriotin. Kjo është ndeshje e vështirë, por duhet të përqendrohemi te ndeshja e nesërme”.

“Statistika e tyre është e javëve të para, ne na pret një ndeshje e vështirë që duan të marrin pikët njësoj si ne”.

“Çdo skuadër do të futet në fushë për të dhënë maksimumin, mendoj që nuk duhet të nisemi për nga cilësia e lojtarëve ose nga përbërja e tyre që na del përballë faktit me skuadra që nuk janë favorite, por futbolli është një sport që na ka treguar që, kush nuk jep maksimumin, diferencat zvogëlohen dhe bëhen të barabartë”, shtoi ish-portieri i disa skuadrave në Superiore.

Për Shehin, futbolli është provim dhe nuk ka skuadër të lehtë apo të vëshitrë, pasi ndeshjet në dukje të lehta mund të rezultojnë shumë të vështira.

“Futbolli është provim, javë pas jave vihesh përballë skuadrave kushdo qofshin ato duhen tri pikët”, vijoi të thoshte tekniku bardheblu.

“Mendoj që ndeshjet që janë në letër të lehta  bëhen më të vështira. Kështu është shorti, këtë javë përballesh me Kastriotin dhe javës tjetër me Laçin, janë kundërshtarë që duhet vlerësuar dhe nuk duhet të nisemi se kush është përpara, janë tri pikë që duhen”, përfundoi 43-vjeçari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore