Shqipëria

Shefi i zjarrfikëses në Lushnjë: Rrezikuan jetën 10 banorë dhe 3 zjarrfikës, flakët nisën nga një dyqan këpucësh


Shefi i zjarrfikëses në Lushnjë, Xhezmi Metushi, ka bërë me dije se 10 banorë rrezikuan jetën. Po ashtu edhe tre punonjës të zjarrfikëses.

Sipas tij, ende nuk ka dalë shkaku pse ndodhi zjarri.

Por dyshon se vatra mund të jetë nisur nga kati i katërt në një dyqan këpucësh.

“Shumë e vështirë. Është pallat shumëkatësh. Kishim shumë vështirësi. U ngrit shteti në këmbë. Mbi 10 zjarrfikëse”, ka treguar ai.

“Rreth 10 banorë rrezikuan jetën, por i evokuam në kohë. Tre punonjës zjarrfikëse rrezikuan jetën. Akoma nuk ka dalë shkaku”, ka shtuar Metushi.

Ai ka thënë se “nuk bëjmë ne përllogaritje dëmesh, mendojmë se mund të ketë ardhur nga kati i katërt, ambientet e një dyqani këpucësh”.

Sipas tij, ky objekt ishte në flakë.

“Nuk ka asnjë vatër zjarri. Ua jap me garanci”, ka theksuar Metushi.

Pas dhjetë orëve betejë me flakët është mundur të shuhet zjarri që përfshiu qendrën tregtare ‘Metropol’ në Lushnjë, rreth orës 14:40 të 25 dhjetorit.Qendra e cila ndodhet mes dy godinave 12-katëshe, katet e sipërme të të cilave funksiononin si apartamente banimi.

Ndërkaq gjatë natës, Policia e Shtetit ka bërë me dije se ka përfunduar operacioni i evakuim shpëtimit në qendrën tregtare në Lushnjë.

Në operacion për evakuimin e qytetarëve morën pjesë Forcat RENEA, Forcat e Sigurisë Kombëtare, Njësitë Shqiponja, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe zjarrfikësit.Në vendngjarje ishin Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Zëvëndës Drejtori i Përgjithshëm Sokol Bizhga, Drejtori Vendor i Policisë Fier Lorenc Panganika, Drejtues të tjerë të DVP Fier dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Janë evakuuar dhe dërguar në spital për ndihmë mjekësore rreth 39 qytetarë dhe 3 punonjës të zjarrfikëses, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Çfarë ka ndodhur?
Fillimisht flakët kanë përfshirë katin e dytë dhe të tretë, por zjarri më pas është përhapur edhe në katin e katërt dhe më pas në apartamentet që janë në godinën e qendrës tregtare.

Ndërkaq Policia ka bërë me dije se zjarri është pikasur rreth orës 14:40. Nga të dhënat e para, dyshohet se zjarri ka nisur nga kabllot elektrike në tubat e ajrimit.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe Forca e Posaçme Shqiponja kanë shkuar në vendngjarje dhe po marrin masa për evakuimin e qytetarëve dhe banorëve në qendrën tregtare”.

Gjithashtu, janë dërguar edhe forcat e sigurisë kombëtare në mbështetje të Policisë Vendore për evakuimin e qytetarëve.

Policia njofton se është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore