Kosova

Shefi i OSBE-së zotohet për mbështetje në reformën e drejtësisë


Shefi i OSBE-së Michael Davenport dhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu

Shefi i OSBE-së, Michael Davenport, është zotuar se do të mbështesë rrugëtimin e Kosovës për reformën në drejtësi.

Zotimin Davenport, e ka bërë gjatë një takimi të zhvilluar të hënën me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Ambasadori Michael Davenport e falënderoi ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për bashkëpunimin e ngushtë me Misionin e OSBE-së në Kosovë gjatë mandatit të tij – u zotua për mbështetjen e vazhdueshme për reformën në drejtësi dhe theksoi nevojën për konsensus midis palëve kryesore të interesit; edhe për MD si Koordinator kundër dhunës në familje”, thuhet në njoftimin e OSBE-së.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 29 gusht ka pritur në takim lamtumirës Davenport-in, të cilin e ka falënderuar për angazhimin e tij në Kosovë.

Më 22 mars të 2021-së, diplomati britanik ambasadori Michael Davenport, kishte pranuar detyrën e Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Davenport ka përvojë të gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi kishte shërbyer si ambasador i BE-së dhe Shef i Delegacionit të BE-së në Serbi nga viti 2013 deri 2017.

E po ashtu si ambasador Britanik në Serbi nga viti 2010 deri në 2013.

Mes viteve  2007 dhe 2010 ka shërbyer si Drejtor për Rusinë, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore në Zyrën e Jashtme dhe të Komonuelthit të Mbretërise së Bashkuar.

E nga viti 2017 ambasadori Davenport ka shërbyer si Ambasador Britanik në Kuvajt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore