Lajme

Shefi i OSBE-së: Të mbahen përgjegjës personat që kanë kërcënuar policët e rinj serbë


Michael Davenport

Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Tëitter”, ka shprehur shqetësimin lidhur me raportimet se policët e rinj nga komuniteti serb janë përballur me fushatë linçuese dhe kërcënime në rrjetet sociale.

“Të gjitha përpjekjet për të frikësuar apo kërcënuar oficerët e Policisë së Kosovës apo kadetët që fillojnë karrierën në polici duhet të dënohen pa rezerva. Ata që janë përgjegjës duhet t’i nënshtrohen me vendosmëri përgjegjësisë”, ka shkruar Davenport në llogarinë e tij, të mërkurën.

Ai ka thënë se Misioni i OSBE-së në Kosovë mirëpret dhe mbështet në mënyrë aktive angazhimin e Policisë së Kosovës në ngritjen e nivelit të komunikimit me të gjitha komunitetet dhe prioritizimin e rekrutimit të kadetëve nga komunitetet joshumicë në mbarë Kosovën.

Të hënën e kësaj jave e nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë, përfshirë 45 nga komuniteti serb, pas konkursit të shpallur nga Policia e Kosovës në fillim të këtij muaji. Insitutucionet e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar e kanë cilësuar si të papranueshëm çdo lloj kërcënimi apo frikësimi ndaj tyre.

Mbi 550 pjesëtarë të komunitetit serb në Policinë së Kosovës kanë zhveshur uniformat e tyre që nga viti i kaluar, në shenjë proteste kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar automjetet e tyre nga targat ilegale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë në ato të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore