Shqipëria

Shefi i mbikëqyrjes së kufirit Kosovë-Shqipëri tregon shkëmbimin e zjarrit me grupin e trafikantëve sirianë: Është hera e parë që na qëllojnë


Një ngjarje e rëndë është regjistruar në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërinë, ku një grup kriminal sirian, i cili dyshohet se operonte në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, është përballur me Policinë Kufitare dhe ka shkëmbyer zjarr.

Ky grup, mësohet se organizonte dhe drejtonte një rrjet të trafikut ndërkombëtar të emigrantëve nga vendet e treta, nga Greqia për në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, me destinacion final shtetet e BE-së.

Një shpjegim të detajuar të situatës, e ka dhënë edhe shefi i sektorit të operatores për mbikëqyrjen e kufirit Kosovë-Shqipëri, Latif Hoxha, në një fjalë për media.

“Dje, rreth orës 11 kemi pranuar informacion se në drejtim të territorit të Kosovës janë 6-7 persona të armatosur.  Jemi udhëzuar që të organizojmë operacionin në terren. Në mesin e tyre ishte edhe personi kyç që është i njohur por s’mund të japim detaje”, ka bërë me dije fillimisht ai.

Më tej, ka shtuar se personat e dyshuar kanë parë në policinë dhe kanë gjuajtur në vijën kufitare, në distancë 50-100 metra. Ka pasur gjuajtje nga armë të ndryshme. Pasi kanë qenë grup i organizuar.

Grupi kriminal sirian sulmoi Policinë shqiptare, zbardhet ngjarja

Personi i shpallur në kërkim ndërkaq, pasi gjashtë të tjerë janë arrestuar, ka qenë i proceduar më parë nga Policia shqiptare dhe kosovare, si dhe ka qenë i arrestuar.

Personat që kanë qenë duke ardhur, në çastin e takimit vizual me policinë e Kosovës, janë kthyer nga Policia shqiptare, ndaj të cilëve kanë gjuajtur.

Në pamundësi për t’u futur në Kosovë e për t’u kthyer mbrapa kanë përdorur gjuajtjet për të shpëtuar.

Në momentin e parë janë ndaluar tre persona nga ana e policisë së Shqipërisë. Katër të tjerë ikën në pjesën e sipërme, në terren të vështirë malor, ku më pas është krehur edhe zona nga të dy anët.

Në pjesën e Shqipërisë kanë qenë të përfshira të gjitha njësitë.

Më vonë nga Policia shqiptare është marrë konfirmimin se janë arrestuar dhe tre të tjerë.

“Ne nuk kemi gjuajtur. Vetëm ata kanë gjuajtur”, shtoi ndërkaq Hoxha.

Në mbyllje, ai ka shtuar se me fenomenin e trafikimit me emigrantë, gjatë viteve të fundit janë ballafaquar me disa raste, por jo të jetë gjuajtur ndaj tyre.

“Duke nisur nga viti i kaluar, përforcimi nga policia shqiptare dhe policia jonë kanë shkaktuar te kontrabanduesit një formë ngritje të rrezikshmërisë ndaj nesh. Kjo ka ndodhur vitin e kaluar por aty ishte diçka mes tyre, jo gjuajtje ndaj policisë. Është qëlluar ndaj nesh por fatmirësisht nuk ka të lënduar”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore