Kosova

Shefi i CIA-s përfundon takimin me Osmanin


William Burns

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), William Burns, ka përfunduar takimin me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë, pasi që është parë duke u larguar nga objekti i ndërtesës së Presidencës së Kosovës.

Takimi mes Burns dhe Osmanit ka zgjatur përafërsisht një orë.

Në këtë takim, siç raporton “Radio Evropa e Lirë”, ka qenë i pranishëm edhe Shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Petrit Ajeti.

Po ashtu, nga ndërtesa e objektit të presidencës është parë duke dalur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Askush deri më tani nuk është deklaruar në lidhje me këtë takim.

Vizita në Kosovë e Shefit të CIA-s vjen në kuadër të “turneut ballkanik” të kësaj jave, ndonëse nuk janë dhënë fare detaje specifike rreth arsyes së vizitës.

Pas Bosnje e Hercegovinës, Burns vizitoi Serbinë më 21 gusht, derisa as për këtë vizitë nuk janë dhënë fare informacione zyrtare.

Ndryshe, në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, në mars, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në rajonin e Ballkanit Perëndimor përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet në pjesën Veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin e trazuar edhe përgjatë vitit 2023.

“Liderët nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionet për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të madh të Ballkanit Perëndimor në institucionet euroatlantike”, paralajmëroi Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare (ODNI).

Gjithashtu, ndonëse nuk përmendet drejtpërdrejtë, sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjë të Zveçanit në Veri të Kosovës, ku u vra një polic i Kosovës, u mor për referencë në raportin e inteligjencës amerikane mbi vlerësimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore