Lajme

SHBA-të i përgjigjen Prigozhin-it: Nuk do të lejojmë ndërhyrje në zgjedhjet tona


Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vendosin sanksione kundër çdo entiteti që përpiqet të ndërhyjë në procesin zgjedhor.

Këshu deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price, si kundërpërgjigje ndaj oligarkut rus Yevgeny Prigozhin.

Duke komentuar rrëfimin aktual të Prigozhin-it për ndërhyrje në procesin zgjedhor në SHBA, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit e quajti atë “një manifestim të mosndëshkimit të përdorur nga njerëzit e korruptuar pranë Putinit dhe në Kremlin”.

“Ne të gjithë e dimë, sidomos tani, se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë guri i themelit të shoqërisë amerikane dhe demokracisë amerikane. Ne nuk do të lejojmë ndërhyrje në zgjedhjet tona, pavarësisht se nga vjen. Këtë e kemi treguar jo vetëm me fjalë, por edhe në veprime”, theksoi zyrtari i DASH-it.

Price kujtoi se SHBA-të vendosën sanksione kundër Prigozhin dhe Agjencisë së tij të Kërkimeve në Internet në vitin 2018, dhe kundër vetë Rusisë në vitin 2021.

Gjithashtu, për shkak të ndërhyrjes në zgjedhje, sanksione u vendosën edhe ndaj Iranit.

Biznesmeni rus pranë Kremlin-it, Yevgeny Prigozhin pranoi të hënën e 7 nëntorit se kishte “ndërhyrë” në zgjedhjet amerikane, në prag të “midterm-it” ose zgjedhjeve për Kongresin Amerikan.

Kreu i grupit mercenar rus Wagner dhe i mbiquajtur “kuzhinieri i Putinit”, është akuzuar për ndërhyrje prej vitesh nga autoritetet amerikane.

“Ne kemi ndërhyrë, po ndërhyjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Saktësisht, përpikërisht, kirurgjikisht, në një mënyrë që është unike për ne”, tha Prigozhin në një postim në rrjetet sociale nga kompania e tij “Concord”.

Prigozhin i nënshtrohet sanksioneve amerikane për rolin e tij të dyshuar në ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Prigozhin pranon ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore