Lajme

SHBA-të duan që Koreja e Veriut dhe Rusia të paguajnë “çmimin” për bashkëpunimin ushtarak


Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të detyrojnë Korenë e Veriut dhe Rusinë “të paguajnë çmimin” për bashkëpunimin ushtarak, duke i kërkuar Moskës që “të sillet me përgjegjësi” si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tha zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Jugut.

Grupi i Konsultimit dhe Strategjisë së Zgjeruar të Parandalimit (EDSCG) u takua në Seul, mes shqetësimeve se Koreja e Veriut dhe Rusia diskutuan një transaksion të mundshëm armësh gjatë samiteve të fundit, raportoi “Reuters”, duke cituar agjencinë “Yonhap” të Seulit.

Mbledhja u kryesua nga zëvendës ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut Chang Ho-jin dhe zëvendës ministri i mbrojtjes Shin Beom-chul, ndërsa delegacioni amerikan u kryesua nga nënsekretarja e shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare Bonnie Jenkins dhe Zëvendës Sekretarja e Mbrojtjes për Politikën Sasha Baker.

Seuli dhe Washington-i kanë paralajmëruar se bashkëpunimi ushtarak midis Phenian-it dhe Moskës është në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe do të ketë pasoja.

“Raportet e fundit për shitjet e mundshme të armëve midis Koresë së Veriut dhe Rusisë janë shqetësuese dhe çdo transferim i tillë i armëve do të ishte shkelje e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Bonnie Jenkins në një konferencë për shtyp pas takimit.

Ajo përsëriti se SHBA-të pohojnë se çdo sulm bërthamor nga Koreja e Veriut ndaj Washington-it ose aleatëve të tij, përfshirë Korenë e Jugut, do të konsiderohet “i papranueshëm dhe do të rezultojë në përfundimin e atij regjimi”.

Udhëheqësit e Rusisë dhe Koresë së Veriut, Vladimir Putin dhe Kim Jong-un, u takuan në fillim të kësaj jave në Amur, në Lindjen e Largët Ruse, duke ngritur shqetësime në Washington dhe Seul.

Para takimit, Kim tha se ata donin të përmirësonin më tej marrëdhëniet me Rusinë, duke shtuar se ai gjithmonë mbështet Putin-in dhe vendimet e qeverisë ruse.

Putin e përshkroi takimin me Kim si “produktiv”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore