Lajme

SHBA-të dhe Koreja e Jugut i përgjigjen raketës koreano-veriore me stërvitje bombarduese ushtarake


Vjen e menjëhershme përgjigja e SHBA-ve dhe Koresë së Jugut, ndaj lëshimit të një rakete balistike me rreze të gjatë nga ana e Koresë së Veriut, mbi ishullin japonez të Hokkaido-s.

Sipas një njoftimi zyrtar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura koreano-jugore të martën e 4 tetorit, në bashkërendim me SHBA-të, po zhvillohen disa stërvitje bombarduese ushtarake, me avionë luftarakë të dy Ushtrive përkatëse.

Kjo, në përgjigje direkte ndaj “papërgjegjshmërisë” së Kim Jong-Un.

Katër avionë të llojeve F-15K dhe F-16, kanë marrë pjesë në këto testime stërvitore, për të parë saktësinë e bombardimeve në rast të një përgjigjeje të mundshme ndaj sulmeve potenciale, që mund të vijnë nga Koreja e Veriut.

“Po tregojmë nëpërmjet këtyre stërvitjeve se jemi të gatshëm t’u përgjigjemi sulmeve që mund të vijnë ndaj aleatëve tanë”, shkruhej në komunikatën për shtyp nga Shtabi i Përgjithshëm i FA-ve korano-jugore.

Një demonstrim po ashtu ky, i kundërpërgjigjes së menjëhershme ndaj provokimeve të Kim Jong-Un, i cili ka deklaruar më parë se vendi i tij, është tashmë një fuqi e armëve bërthamore në botë, siç pretendohet nga diktatori koreano-verior.

Çfarë ndodhi?

Koreja e Veriut lëshoi në orët e para të mëngjesit – me atë lokale të Azisë Lindore – një raketë balistike me rreze të gjatë 4 mijë e 500 kilometra, e cila fluturoi mbi ishullin Hokkaido të Japonisë dhe me një trajektore tjetër, mundej fare mirë të godiste edhe ishullin amerikan të Guam-it në Oqeanin Paqësor.

Kështu, duke u bërë “sulmi” i parë prej vitit 2017, i cili jo vetëm i shkon pranë brigjeve dhe ujërave japoneze, por i kalon qytetarëve mbi kokat e tyre.

Në këtë mënyrë u zgjuan në fakt qindra mijëra prej banorëve në qytetet japoneze të ishullit kryesor, Hokkaido, në orët e para të mëngjesit, kur një zhurmë e fuqishme dhe sirena alarmi u dëgjuan në territor.

Lajmërimi se Koreja e Veriut kishte lëshuar një raketë të tillë balistike me rreze kaq të gjatë, ekzaktësisht mbi kokat e tyre, nuk mbeti pa u vënë re kësisoj.

Njoftimi vetë nga Pyongyang-u, ishte se kishim të bëjmë thjesht me një test të radhës.

Por, në kohën kur vetë diktatori i izoluar, Kim Jong-Un, ka deklaruar se tashmë ai posedon edhe raketa bërthamore dhe vendi i tij e zotëron këtë fuqi, asgjë nuk mund të merret e mirëqenë.

Në përfundim të gjithë “aksionit”, raketa ra qetësisht në Paqësor, pa shkaktuar dëme, e aq më pak të vdekur.

Analizat e para nga mediat e mëdha botërore, referojnë se në rast se ajo do të arrinte potencialin e plotë, mund të kapte edhe kuotën e lartësisë prej 1 mijë kilometrash.

Në terma konkretë, kjo do ta çonte raketën mbi nivelin hapësinor të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor.

Reagime pati menjëherë nga Qeveria japoneze, ku alarmin ndaj një sjelljeje “krejtësisht të dhunshme”, prej Kim, e dha vetë kryeministri, Fumio Kishida.

“Nuk po e përjashtojmë mundësinë e forcimit të mbrojtjes sonë, madje as atë të kundërpërgjigjes”, deklaroi Fumio përgjatë një konference për shtyp.

Vetë amerikanët, e quajtën sjelljen koreane një “vendim të pamatur dhe shumë të rrezikshëm”, duke qendërzuar në retorikë edhe faktin se kjo gjë po krijon destabilitet në rajon.

Pra, teknikisht, Koreja e Veriut arriti një “test”, i cili mund të quhet edhe me sukses (si ndër të shumtët që ka ndërmarrë kohët e fundit me raketat balistike dhe lëshimet e tyre kërcënuese).

Sukses, arriti edhe të rrokte vëmendje botërore sërish, në izolimin e saj, duke marrë përgjigje e kërcënime direkte nga dy vende, ndër më të fuqishmet në botë dhe anëtare të grupimit të superfuqive globale, G7.

Por, a është ky një kërcënim real për luftë të re në Azi?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore