Lajme

SHBA-të dhe Izraeli mohojnë “ngrirjen” e bisedimeve me sauditët


Zyrtarët izraelitë dhe amerikanë mohuan të hënën e 18 shtatorit një raport në një gazetë në pronësi saudite se Riadi zyrtar kishte ngrirë bisedimet e normalizimit me Izraelin, sepse ai refuzon të bëjë lëshime për palestinezët.

Lajmi u bë i ditur nga kompania mediatike “Bloomberg”.

Raporti është i rremë, tha një zyrtar i lartë amerikan, duke i bërë jehonë një mohimi të ngjashëm nga një ndihmës i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Ndihmësi po fliste në një aeroplan që transportonte kryeministrin në SHBA për takime në California dhe New York.

Sipas një raporti të gazetës Elaph me bazë në Londër, e cila citonte zyrtarë në zyrën e Netanyahu-t, SHBA-të e informuan Izraelin për pozicionin saudit.

Elaph tha se ngrirja e bisedimeve ishte kryesisht për shkak të deklaratave të ministrave izraelitë të ekstremit të djathtë se Izraeli nuk do të bëjë lëshime për palestinezët si pjesë e ndonjë marrëveshjeje me sauditët.

SHBA-të, Arabia Saudite dhe Izraeli janë të angazhuar në negociata komplekse, në të cilat Washington-i do të ofronte garanci sigurie për Riadin, sauditët do të normalizonin marrëdhëniet me Izraelin dhe Izraeli do të ndërmerrte veprime që synojnë të ruajnë mundësinë e një shteti palestinez.

Duke pasur parasysh natyrën nacionaliste, të krahut të djathtë të koalicionit qeverisës të Netanyahu-t, besohet gjerësisht se pjesa palestineze e negociatave do të jetë ndër më sfidueset.

Netanyahu ka thënë vazhdimisht se nuk do të ndërmerrte asnjë hap që do të rrezikonte sigurinë e Izraelit.

Netanyahu do të takohet me Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden në New York këtë javë në hapjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Procesi i normalizimit saudit, së bashku me shqetësimet për Iranin, janë qendrore në axhendën e tyre, tha Netanyahu në komentet para se të largohej nga Izraeli të dielën vonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore