Shqipëria

SHBA-Shqipëri, koordinim operacionesh ndaj zjarreve


Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, ka shprehur keqardhjen e saj për zjarret e përhapura në gjithë vendin, duke treguar jo vetëm gatishmëri për të ndihmuar me situatën, por edhe duke konkretizuar koordinim të operacioneve midis SHBA-ve dhe Shqipërisë.

“Në emër të amerikanëve, dua të shpreh trishtimin më të madh të situatës së krijuar nga zjarret në Shqipëri”, thotë ambasadorja pas një takimi me ministrin e Brendshëm, Niko Peleshi, në bazën e Pashalimanit.

Ndër të tjera, ambasadorja thekson se është mirënjohëse për punën e palodhur të trupave të angazhuara. Gjithashtu, ajo falënderoi edhe personalisht ministrin Peleshi, Major Gjeneralin Bajram Begaj në drejtimin e Forcave të Armatosura dhe kreun e Emergjencave Civile, Haki Çako.

“Ndodhem në Vlorë sot, për të takuar ekipin nga USAID-i”, vijon Kim. “Ata udhëtuan drejt Shqipërisë për të dhënë ndihmë në përgjigjen ndaj zjarreve. Jam falënderuese për reagimin e shpejt të tyre”.

Këto forca të shtuara e kanë adresuar tashmë sfidën dhe kanë filluar punë. Bashkëpunimi midis aleatëve është thelbësor për Kim.

Ajo nuk anashkaloi as ndihmën me pajisje amerikane. Ato të ardhura prej kohësh në Shqipëri, po vihen në punë sot, duke lehtësuar situatën.

“Më lejoni ta them sërish. Amerikanët janë këtu me ju dhe do të jenë gjithnjë këtu me ju, në kohët më të vështira”. Kështu e mbyll Kim fjalën e saj.

Situata e zjarreve në Shqipëri

Në të gjithë Shqipërinë ka disa vatra aktive zjarri, ndërkohë që po punohet për shuarjen e tyre.

Disa prej këtyre vatrave në veri dhe në jug të vendit janë më problematike.

Vijon puna me intensitet nga toka dhe nga ajri për shuarjen e zjarrit në “Majën e Rrunës”, njësia administrative Malzi.

Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë mundësuar izolimin e vatrës te zona Qafa e Kumbullës, ndërsa Forcat e Kosovës janë përqendruar nga ana e Lakut të Mollës, e cila vijon të jetë aktive me intensitet të lartë, në pjesën që është në kufi me Pukën.

Gjithashtu dhe pjesa e zonës nga Laku i Qershive vijon të mbetet problematike. Terreni i pjerrët dhe shkëmbor ndërlikon punën e forcave nga toka, por nuk ka rrezik për banesa.

Forcat nga toka dhe nga ajri janë përqendruar në fshatin Thirrë, në Fan të Mirditës, ku po punohet për ndërprerje të përhapjes së flakëve dhe normalizimin e situatës.

Pjesa në anë të tunelit është nën kontroll, ndërsa pjesa tjetër e malit vijon të ketë prani flakësh.

Situatë e vështirë për shuarjen e zjarrit vazhdon dhe në fshatin Munellë dhe Domgjon.

Forcat, që janë në terren, janë të përqendruara duke mbajtur të izoluar anën e fshatit Domgjon.

Momentalisht vatra e zjarrit ka një shtrirje të madhe në terren të thyer dhe është i vështirë izolimi në tërësi i saj.

Problematike mbetet situata në vatrën mbi fshatin Dukat, e cila ishte stabilizuar më herët, por ka patur një rindezje të flakëve.

Operacioni po vijon nga toka dhe nga ajri. Edhe në këtë zonë nuk ka rrezik banesash.

Ka vijuar të jetë aktive një vatër në fshatin Patalej të Lezhës, ku forcat po punojnë për të izoluar një pjesë zjarri në drejtim të rrugëve të fshatit.

Nuk ka rrezik për banesa edhe në këtë zonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore