Lajme

SHBA shpall person non grata ish-zëvendëskryeministrin maqedonas


Ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë shpallur person non-grata, ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Koço Angjushev, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm, ka njoftuar të martën Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

Angjushev ka shpërdoruar postin zyrtar për interesa private, duke minuar besimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në institucionet qeveritare dhe proceset publike, ndërsa vendimi i SHBA-ve është në funksion të kerkesave që zyrtarët e korruptuar të vihen para përgjegjësisë.

“Ky përcaktim rikonfirmon përkushtimin e SHBA-ve për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, frenon mirëqenien ekonomike të vendeve dhe dëmton aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të qytetarëve të tyre”, thuhet në njoftimin e DASH-it.

Angjushev është politikan dhe biznesmen. Ai ka në pronësi kompaninë “Brako” dhe ka ndërtuar spitale provizore gjatë pandemisë së koronavirusit (COVID19) nëpërmjet një tenderi jotransparent. Spitali i Tetovës ishte përfshirë nga zjarri në shtator të vitit 2021, ku kishin vdekur 14 pacientë.

Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-ve ka futur në listën e zezë edhe 10 individë – aktorë destabilizues në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, duke e konsideruar veprimin si përpjekje për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

SHBA-të shënjestrojnë aktorët destabilizues – sanksionojnë 10 individë nga Ballkani Perëndimor

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore