Lajme

SHBA pakt me Izraelin: Lejon sulmin në Rafah, për të shmangur një përgjigje ndaj Iranit


Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të lejojnë Izraelin të sulmojë Rafahun në këmbim të një angazhimi nga qeveria Netanyahu për të mos iu përgjigjur në shkallë të gjerë Iranit – duke shkaktuar një zgjerim të paparashikueshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Këtë e raporton shtypi izraelit, duke cituar mediat e Katarit, burimet e të cilit janë egjiptiane.

“Administrata amerikane ka treguar se e pranon planin e paraqitur më parë nga qeveria okupuese në lidhje me operacionin ushtarak në Rafah, në këmbim të refuzimit për të kryer një sulm në shkallë të gjerë kundër Iranit”, shkruan “Al-Araby”.

Për këtë arsye tashmë janë duke u zhvilluar përgatitjet që Egjipti të përballet me ndikimet e mundshme të operacionit të planifikuar pranë kufijve të tij.

Sipas “Times of Israel”, katër batalione të Hamasit thuhet se janë vendosur në Rafah së bashku me mbi një milion civilë që janë strehuar atje pasi kanë ikur nga luftimet në pjesë të tjera të Rripit.

Rafah besohet gjithashtu të jetë vendi ku fshihen udhëheqësit e Hamasit, ndoshta së bashku me pengjet izraelitë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë vazhdimisht se ai ka miratuar planet për një operacion në Rafah dhe së fundmi tha se një datë për nisjen është vendosur, por deri më tani është frenuar nga aleatët ndërkombëtarë dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore