Lajme

SHBA, faktori K: gratë dhe politika, operacioni i Shtëpisë së Bardhë. Tani është radha e Kamala Harris


Fokusimi është e fiksuar në 19 flamujt e mëdhenj të Yjeve dhe Shiritave që formojnë sfondin. Një prezantuese e re hyn në skenë dhe e prezanton “Ftoj në skenë zëvendë presidenten e parë femër të Shteteve të Bashkuara dhe presidenten e ardhshme të vendit tonë: Kamala Harris”.

Fillon kënga Freedom, nga Beyoncé: “Do t’i thyej zinxhirët vetë/Nuk do ta lë lirinë time të kalbet në ferr/Do të vazhdoj të vrapoj/sepse një fitues nuk dorëzohet”.

Turma e emocionuar thërret emrin e saj “Kamala, Kamala, Kamala”. Ajo del në skenë e buzëqeshur, e sigurt dhe përshëndet 3 mijë personat që erdhën për ta parë. Për të parë nëse është e gjitha e vërtetë.

“Mirëdita, Wisconsin”, bërtet ajo. Është 23 korrik. Dy ditë pas asaj të diele historike në të cilën Joe Biden njoftoi tërheqjen e tij nga gara për rizgjedhje dhe mbështeti kandidaturën presidenciale të Kamala Harris, ish-prokurores me ngjyrë të lindur në Oakland, Kaliforni, nga një nënë indiane dhe një baba me origjinë xhamajkane.

Harris shfaqet më rrezatuese se kurrë në gjimnazin e West Allis Central High School në Milwaukee, në shtetin jo shumë të sigurt të Wisconsin, e sigurt se vetëm duke qëndruar në atë skenë ajo tashmë po bën një mrekulli: duke ringjallur elektoratin demokrat të mefshtë nga dëshpërimi dhe pesimizmi pas disa muajsh të Biden-it në versionin “rosë e çalë”.

Kjo konfirmohet nga donacionet rekord, mbështetja unanime e partisë dhe viraliteti me të cilin memet dhe miratimet për të vërshojnë në mediat sociale.

Në Midwestin e pasigurt, aq të vështirë për t’u marrë, Harris kalon në sulm. “A duam të jetojmë në një vend të lirisë, dhembshurisë dhe shtetit të së drejtës, apo në një vend kaosi, frike dhe urrejtjeje?”; “Ne besojmë në një të ardhme ku çdo person ka mundësinë jo vetëm të mbijetojë, por të përmirësohet, ku asnjë fëmijë nuk duhet të rritet në varfëri, ku punëtorët të kenë një sindikatë, ku të gjithë të kenë kujdes shëndetësor, çerdhe, leje me pagesë”.

Dhe pastaj, shtytja e pritshme “Ne u besojmë grave që lirisht të marrin vendime për trupin e tyre”.

Dhe kështu, befas, ja ku jemi katapultuar 16 vjet më parë. Ishte viti 2008 kur Barack Obama shkoi nëpër rrugët e Amerikës, duke ndezur mitingje që ngjasonin me koncerte rock, duke rrënjosur një ndjesi të re, të çuditshme, të “mundësisë”.

Pranë tij ishin Aretha Franklin dhe Bosi (Bruce Springsteen, shën.red), Harris ka Beyonce-n dhe yllin anglez të popit Charli XCX.

Të dy ngjallin emocione sepse janë simboli i shpërblesës të një pjese të popullit amerikan që ka qenë gjithmonë i përjashtuar nga pushteti.

Një muaj më parë Harris nuk bindi pothuajse askënd. Sot, jo vetëm që ajo i lartëson demokratët brenda dhe jashtë linje – 88% e mbështesin kandidaturën e saj – por sondazhet tregojnë se ajo është aty aty me Trump.

Për të mbrojtur shpërthimin fatlum dhe të papritur të mbështetjes ndaj saj, zëvendës presidentja, e ndjekur nga ekipi Biden, studion çdo aspekt të fushatës.

Përdor “ne” më shumë se “unë”, “lirinë” më shumë se “demokraci”. Rikthen në qarkullim fjalët si “shpresë”, “mundësi”, “e ardhme”, të cilat kujtojnë ato të suksesshme “Change” (Ndryshim)” dhe “Yes we can” (Po ne mundemi).

Fjalë të kundërta nga ato të rivalit që i ndërton fjalimet e tij duke u mbështetur në retorikën e luftës, së cilës Harris i përgjigjet me një frazë që tashmë është një slogan “Kur ne luftojmë, fitojmë”.

Por ish-prokurorja e përgjithshme ka pak kohë dhe kundër kundërshtarit të saj të dënuar dhe shpallur fajtor për 34 krime ajo përdor menjëherë kartën e së kaluarës së saj duke shënuar kështu linjën e parë “Unë jam drejtësia, Donaldi grabitqari seksual, mashtruesi”.

“Duhet kujdes. Jemi ende në mes të muajit të mjaltit”, thotë për “7” kolumnisti i ‘San Francisco Chronicle’, Phil Matier, i cili e njeh personalisht Harris dhe e ka ndjekur atë për më shumë se 20 vjet, që kur ishte avokate e qytetit të saj.

Tubimet nuk janë masa të së ardhmes, por kanë meritën e madhe të frymëzimit. “Dhe kjo është ajo që Kamala po bën. Ajo po u jep një ëndërr demokratëve dhe mbi të gjitha demokratëve të Amerikës që po iu hapej goja për gjumë para dy kandidatëve të moshuar, të bardhë, tashmë shumë të dëgjuar, në pritje të humbjes së nëntorit. Por le të kujtojmë se Trump – sot më i moshuari në garë – është një politikan agresiv, i aftë për çdo gjë”.

Sipas Matier, në këto 90 ditë, Harris do të duhet të shpjegojë se kush është, çfarë mendon, cilat janë pozicionet e saj në politikën e brendshme dhe të jashtme. “Ajo do t’i duhet të afrohet me të pavendosurit, të rinjtë shumë liberalë që Biden i humbi rrugës me luftën në Gaza, njerëzit e bardhë të klasës së mesme që tradicionalisht priren të votojnë republikanë. Udhëtimi i saj është i vështirë”.

Përveç mbrojtjes nga akuzat e kundërshtarëve të saj për katër vitet e saj si zëvendëse në Shtëpinë e Bardhë – akuza që nisin me dosjen e emigracionit – Harris do ta gjejë veten duke iu përgjigjur disa pyetjeve të vjetra, të nënkuptuara “që nuk do të deshëm më t’i dëgjojmë: A mundet një grua të udhëheqë një nga vendet më të fuqishme në botë?”, thotë për “7” Laurie Nsiah-Jefferson, drejtoreshë e Qendrës për Gratë në Politikë dhe Politika Publike në Universitetin e Masaçusets.

Nëse përgjigja është “sigurisht po” – është e qartë se gjinia nuk është matësi për të gjykuar një kandidat , atëherë ka një pyetje tjetër që del nga kjo pamje amerikane: pse Shtetet e Bashkuara mbeten ndër të paktat vende që akoma nuk kanë një Madame presidente?

“Nuk është rastësi”, vazhdon Nsiah-Jefferson. “Nga njëra anë, mekanizmat zgjedhorë kanë të bëjnë me të. Këtu votojmë për kandidatin, partinë, ndërsa në sistemet që funksionojnë në koalicione, si ai italian, karakteristikat e personit përfundojnë në plan të dytë. Nga ana tjetër, historia e vendit tonë është e zhytur në seksizëm dhe racizëm: gratë mundën të votonin pothuajse 150 vjet pas burrave. Por nuk ka nevojë të kthehemi kaq larg. Vetëm në vitin 2021, kandidati republikan për zëvendës president, JD Vance e quajti Harrisin ‘një zonjë që merret merret me macet e palumtur dhe pa fëmijë’ dhe Trump e mbrojti atë duke thënë ‘Atij i pëlqen familja’. Ne kemi luftuar gjithmonë kundër këtij lloj shovinizmi që mbron privilegjin”.

Kjo “gjithmonë” konfirmohet nga historia e Victoria Claflin Woodhull. Ishte viti 1872 kur në moshën 34-vjeçare kandidoi për presidente. Ajo ishte një feministe, një spiritualiste, një intelektuale që u divorcua nga burri i saj i vjetër, pasi e martuan kur ishte adoleshente dhe më pas proklamonte dashurinë e lirë. Dhe mbi të gjitha është femra e parë që sfidon klubin e meshkujve.

New York Herald publikoi kandidaturën e saj, e cila ia vlen të raportohet: “Unë jam zëdhënësja e vetme – ose të paktën më e spikatura – e të vetmes klasë që nuk përfaqësohet në këtë vend: gratë. Unë do të bëj çmos për t’i realizuar shpresat. Kërkohet barazi, unë po e provoj. A nuk kam nisur rrugët e rezervuara deri më tani për burrat? Kush do ta harrojë “shtrigën e Wall Street”? Ndaj sot kërkoj për të gjithë të drejtën jo vetëm për të denoncuar padrejtësitë e të cilave ne vazhdojmë të jemi viktima, por edhe për t’u angazhuar në jetën publike dhe shpall solemnisht kandidaturën time për presidencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Victoria Claflin Woodhull

Woodhull nuk ka asnjë shans për të arritur në Shtëpinë e Bardhë, dhe ajo e di këtë. Por me zgjedhjen e saj të konsideruar “të pahijshme”, “të pacipë”, ajo i jep goditjen e parë, të fortë, atij tavani prej xhami që as Hillary Clinton, 142 vjet më vonë, nuk arrin ta thyejë, por që në fjalimin e saj të humbjes kundër Donald Trump e përcakton se është  «pothuajse i thyer», «Është gati të shembet. Ne kemi krijuar miliona të çara: drita po hyn”.

Biografitë e “revolucionarëve” të shekullit të 20-të, heroinave amerikane që duke pranuar poshtërimin dhe padrejtësinë, u hapën rrugën vajzave dhe mbesave të tyre drejt Shtëpisë së Bardhë, të gjitha nisin në të njëjtën mënyrë.

“E para”, Charlotta Spears Bass, femra e parë me ngjyrë kandidate për zv-presidente (1952); Kathy Kozachenko, lezbikeja e parë e deklaruar që kandidoi me sukses për postin politik (1974); Margaret Chase Smith, kandidatja e parë presidenciale e partisë kryesore (1964); LaDonna Harris, kandidatja e parë native për zv-presidente amerikane.

Mes dhjetëra historive, është ajo e Coya Knutson, gjithashtu “e para”, në rastin e saj “gruaja nga Minesota e zgjedhur në Kongres”.

Në vitin 1958, në prag të festës së nënës, ndërsa kandidonte për mandatin e saj të tretë, ajo përfundoi në faqet e para të gazetave për një letër të bashkëshortit të saj Andi të botuar në gazetën lokale.

Titullohet: “Coya, kthehu në shtëpi”. Andi dëshironte që ajo të largohej nga burrat e tjerë, në kuzhinë. Knutson shihet si nëna që preferon suksesin ndaj familjes dhe, në fund, për lumturinë e partisë, ajo me të vërtetë kthehet në shtëpi, duke hyrë në histori për një mision shovinist që i shkatërroi karrierën dhe jo për punën e saj të shkëlqyer në Capitol Hill: ajo krijoi programin e parë federal të kredisë studentore dhe grantet e para për kërkimin e fibrozës cistike.

“Pikërisht me këto biografi janë ndërthurur fatet e Hillary Clinton, Nancy Pelosi, Elizabeth Warren, Condoleezza Rice, Gretchen Whitmer, Michelle Obama, Alexandria Ocasio-Cortez, Kamala Harris dhe të gjithë të tjerëve. Para tyre, gratë në politikë ishin grimca të vetme që luftuan të vetme. Më pas, me lëvizjen feministe, sindikatat dhe shoqatat, gjithçka ndryshoi”, shpjegon Nsiah-Jefferson e cila për një gjë është e sigurt: “Që nga viti 2016, që nga humbja e Hillary Clinton, Amerika është një vend tjetër. Shembulli i saj ishte themelor për vajzat. Më pas erdhi lëvizja #Metoo dhe katër vitet e Trump që gërryen demokracinë tonë. Gratë nuk janë më të gatshme të vuajnë. Ju gjithashtu mund ta shihni atë në mënyrën se si ato marrin pjesë në mitingjet e Harris. Ato janë të vetëdijshme, shumë të zemëruara: duan Zyrën Ovale”.

Prillin e kaluar, përsëri Trump, me krenari bëri thirrje për abolimin e Roe dhe Wade, vendimi i vitit 1973 nga Gjykata e Lartë që legalizoi abortin në një nivel federal, një plagë e thellë për demokratët.

“Për dy vjet, disa shtete kanë luftuar kundër aksesit të kufizuar për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë. Shumë e shohin Harris-in si një mbrojtëse të kësaj të drejte të cilën ajo e mbrojti edhe gjatë mandatit të saj, duke qenë e para që vizitoi një klinikë”, thotë Nsiah-Jefferson.

Një sondazh i KFF-së thotë se shtatë nga dhjetë votuese demokrate e konsiderojnë votën e vitit 2024 si thelbësore për këtë çështje: 85% e të intervistuarave besojnë se aborti i sigurt nuk ka qenë kurrë kaq i rrezikuar.

“Kjo temë është thelbësore. Harris mund të bëhet presidentja e parë e zezë, aziatike, grua e Shteteve të Bashkuara dhe duhet të kujtojë se gara e saj është gara e të gjithave, duke mësuar edhe nga gabimet e atyre që e paraprinë”, vijon Nsiah-Jefferson.

Kur Hillary Clinton humbi nominimin e Partisë Demokratike ndaj Obamës në vitin 2008, fjalimet e saj u fokusuan tërësisht në forcën, aftësitë, përgatitjen: Clinton “errësoi” gjininë, sepse nga përvoja ajo e dinte se sa e rrezikshme është të luash në atë terren.

Ajo qëndroi gjithnjë në mbrojtje sepse sapo ekspozohej ishte menjëherë o “shumë e ashpër” ose “shumë mashkullore” ose “e pamëshirshme” ose “llogaritëse”.

Ndonjëherë ajo ishte edhe “e tradhtuara nga i shoqi” ose “legenja”. Vetëm në fund të garës ajo e kuptoi se gratë kishin një nevojë të thellë që ajo të fliste për to dhe kështu ndryshoi këndvështrimin e saj.

Në vitin 2016 gjithçka është ndryshe. Hillary Clinton kundër Donald Trump është një grua që përfaqëson gratë e gatshme për të marrë pushtetin. Ajo përfaqëson vajza të vogla që duhet ta shohin veten të pasqyruara në modele të suksesshme.

Nuk funksionoi «por nuk ka rëndësi: u afrua shumë, fitoi votën popullore. Humbja nuk është fundi. Politikanet e shekullit të kaluar e dinin se nuk do t’ia dilnin kurrë, por nëse nuk do të ekspozoheshin, nuk do të kishin arritur publik aq të madh sa të dëgjohej zëri i tyre dhe për rrjedhojë të ndryshonin kulturën e një vendi që deri atëherë ishte vetëm për burra”, përfundon Nsiah-Jefferson.

Sipas Trump, Harris tashmë është “Kamala që qesh” për shkak të të qeshurës së saj “me zë të lartë”.

Ajo është “një zonjë që merret me mace”, është “pa fëmijë”, është “patetike”, është “e paaftë”. Shfaq shumë emocionet, “nuk është elegante”, “nuk e përmban veten”.

Për The Donald, Hillary Clinton ishte “e keqe”, “e pakëndshme”, Nancy Pelosi – frymëzuesja për këtë kandidaturë të re, një grua që në moshën 84-vjeçare është ende duke tërhequr fijet e Partisë Demokratike – ishte “e çmendur”.

Kështu që Harris qesh kur Trump e fyen, sepse ajo e njeh këtë lojë. Ajo e ka parë atë në lëkurën dhe në jetën e të tjerave dhe nuk bie në kurth. «Ma thuaj në fytyrë. Takohemi në debatin që kishe planifikuar me Joe Biden”, i thotë ajo e sigurt. Por ai, për momentin, refuzon.

Në një intervistë për “Corriere della Sera”, Clinton e përkufizoi Trumpin si “demagog”. Dhe shpjegoi: “Demagogu është dikush që di të tërheqë vëmendjen me ofendime dhe fraza tronditëse: disa votues mund të mendojnë se ai është një njeri më autentik, por është vetëm performancë e pastër”.

Ndërkohë, “The Economist” titullon “Kamala Harris-it i mungon karizma dhe koha”.

“Unë e njoh mirë atë. Ajo është një grua miqësore, e sjellshme dhe e vendosur. Ajo ka karizmin. Është kompetente dhe ambicioze, ajo ka vetëm nevojë për guxim për të marrë një pozicion të qartë për disa çështje kyçe – në fakt është duke lëvizur për emigracionin dhe koston e jetesës. Në Kaliforni e konsideronin të moderuar, në Uashington duhet të përcaktojë ajo njëherë e mirë se kush është”, thotë gazetari Matier dhe shton “Ka një faktor të rëndësishëm që nuk duhet harruar: fati. Kamala është gjithashtu një vajzë me fat. E gjithë karriera e saj është shënuar nga momente të papritura të fatit. A do të kemi një Zonjë Presidente dhe një zotëri të parë (burri i saj Douglas Emhoff, shën.red) për herë të parë? Është shumë herët për ta thënë këtë”.

Libri “Rreth Kamalës”, nga Dan Morin, fillon me një kapitull kushtuar Shyamalës, nënës. Thuhet se Harris i detyrohet gjithçka kësaj zonje të vogël, një emigrante indiane, aktiviste politike dhe onkologe, e ardhur në Amerikë për doktoraturë, e cila rriti vetëm dy vajzat e saj.

Fraza e famshme që është bërë meme është e saja «Mendon se ke rënë nga një pemë kokosi?», për të thënë se gjithçka jeton brenda një konteksti.

Por ata që e njohin Harris-in thonë se ka një shprehje tjetër të asaj gruaje që zëvendës presidentja e citon gjithmonë. Ajo dikur i pati thënë “Mund të mos jesh personi i parë në botë që bën shumë gjëra, por ajo që ka rëndësi është të mos jesh i fundit”.

Pak rreshta për Harris

Kamala Devi Harris ka lindur në Oakland, Kaliforni, më 20 tetor 1964. Ajo është vajza e një indiane, Shyamala Gopaland, një onkologe e specializuar në kancerin e gjirit dhe Donal J. Harris, me origjinë xhamajkane, profesor emeritus i ekonomisë në universiteti i Stanfordit.

Emrat Kamala dhe Devi janë hindu, i pari do të thotë zambak uji, i dyti perëndeshë.

Kamala dhe motra e saj më e vogël Maya jetonin në Berkeley. Në moshën 12-vjeçare ajo u transferua me nënën e saj në Montreal, Kanada.

Me një diplomë në politikë, ekonomi dhe drejtësi, ajo u bë prokurore e qarkut të Kalifornisë. Më 20 janar 2021, ajo u bë Zëvendës Presidente e Shteteve të Bashkuara. Që nga viti 2014 ajo është e martuar me avokatin Douglas Emhoff.

Marrë nga Corriere della Sera me autore Greta Privitera, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore