Kosova

ShBA dhe BE njëzëri kundër Qeverisë: Po nxit tensione përmes veprimeve të njëanshme


Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë reaguar ashpër pas mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë e zyrës së një organizate joqeveritare në Prishtinë dhe ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Në reagimin e së dielës të Bashkimit Evropian, i është bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shmangë “veprimet e njëanshme” që mund të rrisin tensionet, meqë sipas BE-së mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës.

“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagim.

I ashpër në reagimin e tij ka qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka përmendur edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare pas operacioneve të autoriteteve të Kosovës në “institucionet komunale në Kosovë të administruara nga Serbia”.

“Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Hovenierit për media të shtunën e 3 shkurtit, derisa diplomati amerikan i ka bërë thirrje sërish Qeverisë që të rishqyrtojë vendimin e autoriteteve financiare me anë të të cilit ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë.

“Ne gjithashtu ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme, derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre”.

Por, kundër “presionit” të ShBA-së ndaj Qeverisë së Kosovës, ka dalur kryesuesja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, e cila i reaguar ambasadorit Hovenier duke e pyetur se “ku është ekuilibri?”.

“A patëm deklaratë si kjo nga SHBA-ja pas kidnapimit ilegal të tre zyrtarëve policorë nga Serbia?”, ka vazhduar tutje me pyetje ajo dhe ka potencuar se heshtja për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku mbetet shurdhuese.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë të shkurtër para gazetarëve të enjten e 1 majit, derisa komentoi kërkesën e Bashkimit Evropian (BE) për të siguruar një “periudhë mjaft të gjatë tranzitore” për çështjen e dinarit serb, tha se “kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët”.

“BQK-ja është institucion i pavarur i Kosovës, nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit; sepse kështu e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur – kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund  të negociohen nga politikanët”, deklaroi ai.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari serb. Në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti kjo praktikë pritet të ndalet.

Përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese midis Kosovës dhe Serbisë ose nënprodukteve të pasioneve maniçeane do të zgjerohet apo serbët lokalë do të adaptohen me euron.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore