Sport

SHBA, akuza për abuzim seksual në futbollin e femrave


Në Ligën e Futbollit të Fermave në SHBA (NWSL), “abuzimi dhe sjellja e papërshtatshme – verbale, psikologjike dhe seksuale – ishin bërë sistematike dhe të përhapura në shumë klube dhe trajnerë”.

Kështu Sally Q. Yates, një prokurore e thirrur një vit më parë për të hetuar për abuzime në futbollin e femrave, kishte shkruar një raport prej 172 faqesh, raport ky që tashmë është publikuar.

Aty qëndron një aktakuzë që kërcënon themelet e futbollit të femrave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vitin e kaluar, gazeta “The Athletic” kishte publikuar një artikull, ku trajneri i North Carolina Courage, Paul Riley, akuzohej për abuzim seksual.

Artikulli bazohej në zbulimet dhe tregimet e disa futbollisteve që ishin trajnuar nga vetë Riley, derisa ky i fundit i kishte mohuar shumicën e akuzave ndaj tij.

Ndërkohë, në raportin i prokurores, Yates, thuhet se liga dhe ekipet nuk kanë marrë as masat bazë për të mbrojtur sigurinë e vajzave.

Për më tepër, NWSL nuk ishte në gjendje të përgjigjej në mënyrë të përshtatshme ndaj ankesave të lojtarëve dhe provave të abuzimit seksual.

Presidentja e US Soccer (Federata e Futbollit të Shteteve të Bashkuara, liga që qeveris futbollin e femrave), Cindy Parlow Cone, tha se ajo që u zbulua nga hetimi “thyen zemrat dhe krijon shqetësim të thellë”.

Raporti i Yates gjithashtu zbuloi se abuzimi psikologjik dhe verbal, si dhe abuzimi seksual ndaj futbollisteve ishte i njohur për US Soccer dhe NWSL, para se “The Athletic” të shkruante lidhur më të. Në raport citohen disa shembuj.

Mes tyre shkruhet si një trajner kishte ftuar një futbolliste të tij për ta parë një ndeshje në fundjavë në shtëpinë e tij dhe në vend të kësaj ai lëshoi një film me përmbajtje erotike.

Një tjetër rast shkruan si një menaxher kishte detyruar disa futbolliste të kishin marrëdhënie seksuale – një sjellje kjo që bëri që ai të shfajësohej nga pronari i klubit.

Në fakt, raporti theksoi se dhuna dhe abuzimi ishin të njohura në çdo nivel – menaxherët, pronarët, trajnerët – por askush nuk ka bërë asgjë për të denoncuar këto akte të dhunës.

Ndërsa, lojtaret që kishin tentuar të ngrinin zërin dhe të raportonin sjellje të caktuara, u bojkotuan dhe u poshtëruan në stërvitje.

Në një situatë kur të gjithë heshtin, raporti denoncon: “Qëndrimet grabitqare të trajnerëve janë shumëfishuar”.

Tre trajnerë janë më të përfshirë në këto raste: Paul Riley, Rory Dames dhe Christy Holly.

Ky i fundit ishte shkarkuar në vitin e kaluar nga ekipi i Racing Louisville pa u dhënë asnjë shpjegim. Në fakt, akuzat për sjelljen e tij nuk ishin publikuar asnjëherë në media, ndryshe nga Riley dhe Dames.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore