Gjykata Speciale

Shala sot paraqitet para Speciales


Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, këtë të mërkurë në ora 14:00 do të bëjë paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, një ditë pasi u arrestua si i akuzuar për “pengim të drejtësisë”.

Sipas aktakuzës, komandat “Topi” së bashku me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijar kanë organizuar takime me një dëshmitar në përpjekje për të ndikuar që ai të tërhiqet nga dëshmia.

“Dëshmitari 1 tha se nëse Shala dhe tjerët sjellin 200 mijë euro, atëherë do të kenë marrëveshje”, thuhet në aktakuzë.

Po ashtu aktakuza përfshin edhe kontakte të shumta telefonike dhe takime personale që kanë ndodhur në periudhën midis 5 dhe 9 prillit 2023.

Sipas aktakuzës, veprimet e Shalës dhe bashkëpunëtorëve të tij kanë pasuar qëllime kërcënuese dhe shantazhuese ndaj dëshmitarit, duke synuar të pengojnë drejtësinë dhe të ndikojnë në dëshminë e tij.

Ndryshe, Shala një herë kishte dhënë intervistë para prokurorisë në Hagë, në vitin 2020.

Nën pranga u vu gjatë muajit nëntor edhe ish-kryetar i komunës së Malishevës dhe ish-komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj, si i dyshuar për vepra penale që përfshijnë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkeljen e sekretit të procedurave.

Më 3 prill të këtij viti në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit si të akuzuar për krime lufte.

Këto krime të pretenduara janë përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është ish-senatori zviceran, Dick Marty.

Por, ish-udhëheqësit e UÇK-së, kanë deklaruar se ndihen krejtësisht të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së konfirmuar ndaj tyre.

Specialja e bastisjeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore