Kosova

Shala për Kurtin: Thotë se janë rritur të hyrat, le t’i plotësojë kërkesat e grevistëve


Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, ka thënë se opozita nuk është palë siç po pretendon kryeministri, kur është pyetur për grevën e SBASHK-ut që ka nisur nga 25 gushti.

“Kjo situatë nuk është nxitur politikisht”, tha Shala në T7.

I dyti i LDK-së ka theksuar se Qeveria ka buxhet të mjaftueshëm për t’ia plotësuar kërkesat e SBASHK-ut.

“Le t’i plotësojë kërkesat dhe greva do të mbyllet. Në anën tjetër thonë që janë rritur të hyrat. Shteti sot është më i pasur se asnjëherë. Deklaratat janë kontradiktore”, shtoi ai.

Shala ka shtuar se kryeministri dhe Qeveria janë aty që t’i zgjidhin problemet, “jo t’i zmadhojnë”.

“Dialogu duhet të jetë gjë elementare dhe e diçka e zakonshme”.

Deputeti i LDK-së ka folur edhe kryesindikalistin Rrahman Jasharajn, duke shtuar se “është njëri nga njerëzit më të ndershëm që kam njohur ndonjëherë”

“E njoh Rrahman Jasharajn qe 30 vjet dhe nuk më duhen portretizimet e askujt, po ashtu kam pasur një përvojë me të si anëtar i Qeverisë, një përvojë jo të lehtë. Nuk e pëlqej konceptin e sindikalizmit, por e njoh organizimin sindikal”, pohoi Shala.

Ndërsa kur ka folur për aterimin e Doarsa Kica-Xhelilit në Lidhjen Demokratike të Kosovës nga Lista Guxo, ai thënë se “ne nuk kemi ndonjë politikë që t’i marrim shumicës deputetë, sepse nuk i kanë bindjet tona”.

“Ne nuk e kemi marr, ajo ka ardhur për shkak të bindjeve të veta, mendojmë që është gjë e mirë edhe për neve edhe për të”, tha Shala.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore