Lajme

Shaip Kamberi deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë


Shaip Kamberi, deputet i Koalicionit tëi Shqiptarëve për Luginën

Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (REC) në Serbi, shqiptarët do të përfaqësohen vetëm me një deputet në Kuvendin e Serbisë.

Këto janë rezultatet e përcaktuara në bazë të gati 15 për qind të votave të përpunuara.

Koalicioni i Shqiptarëve për Luginën i Shaip Kamberit aktualisht ka 0.45 për qind apo 1 ulëse. Kamberi pritet të jetë sërish zë i shqiptarëve në parlamentin serb.

Alternativa për Ndryshim e Shqiprim Arifit për momentin ka 0.22 për qind, gjë që rezulton me zero ulëse në Kuvendin e Serbisë.

Ndryshe, REC njoftoi se rezultatet e para zyrtare do t’i shpallen gjatë ditës së katër prillit.

Rreth 6 mijë shqiptarëve në Serbi u është mohuar e drejta e votës në zgjedhjet e përgjithshme serbe, përçka edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë këtë akt të shtetit autoritar të Serbisë.

Presidentja Osmani tha se një veprim i tillë i Serbisë është rezultat i fushatës së qëllimshme të Serbisë për spastrim etnik të shqiptarëve përmes metodave të tyre të vazhdueshme administrative.

Ndërkaq Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një adresim për media ka thënë se ka fituar 59.9% të votave në zgjedhjet presidenciale, ndërsa tha se kundër kandidati kryesor i tij, Zdravko Ponos, 17.7%, duke iu referuar të dhënave të partisë së tij.

“Kam arritur të bëj diçka që askush në Serbi nuk ia ka dalë kurrë. Unë jam i vetmi që fitova dy herë në raundin e parë”, tha Vuçiç, raporton “Nova.rs”.

Ai ka thënë se përveç se është i bindur në fitoren e zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare, beson se edhe në Beograd partia e tij është e para.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore