Sfidë e re për Urën e Ibrit, hapja mbetet në pikëpyetje

Foto: Albanian Post

Altina Marmullaku
03.08.2024 7:30
Loading Icons...

Qëndrime krejtësisht të kundërta rezulton që të kenë përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, rreth çështjes së hapjes së Urës së Ibrit kështu duke dërguar në një sfidë të re për lirimin e qarkullimit të saj.

Këndvështrimet e ndryshme të palëve u nxorën në pah nga deklaratat që u dhanë pas një takimi të zhvilluar të premten mes Kurtit dhe ambasadoreve.

Për kryeministrin Kurti, ura duhet të hapet pasi që është në shërbim për të gjithë dhe kundër askujt.

“Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhej në komunikatën e Qeverisë së Kosovës që u lëshua pas takimit.

Ndërsa, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se as vendet e QUINT-it dhe as NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë”, tha Hovenier për gazetarë pas takimit.

Ura e Ibrit.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të enjten ka deklaruar se çështja e Urës së Ibrit nuk duhet të ngritët në kuadër të dialogut.

“Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Osmanit.

Osmani ka theksuar se dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve dhe partnerëve të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kishte thënë të enjten se vendimi për hapjen e urës mbi lumin Ibër – e cila lidh Mitrovicën Veriore me atë Jugore duhet të merret vetëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga Unioni.

Ndërsa, Misioni i Bashkimit Evropian (BE) për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka thënë se është duke kryer patrullime vazhdimisht në pjesën veriore si dhe në afërsi të Urës së Ibrit.

EULEX përmes një përgjigje për Albanian Post të premten deklaroi se këto patrullime po kryhen në përputhje me mandatin që kanë.

“Në veçanti, për të fituar një kuptim të situatës, Njësia e Formuar e Policisë së EULEX-it po kryen patrullime të lëvizshme të zbulimit në baza 24/7, duke përfshirë – por pa u kufizuar në – Mitrovicën Veriore dhe në afërsi të Urës së Ibrit”, ka thënë EULEX-i për Albanian Post.

Gjatë të premtes nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, pati deklarata se është rritur numri i pjesëtarëve të KFOR-it dhe EULEX-it në Veri.

Albanian Post ka kontaktuar edhe KFOR-in lidhur me çështjen nëse është rritur numri i trupave në Veri, por që deri në publikimin e këtij artikulli s’ka pranuar përgjigje.

Cilat ishin përpjekjet për hapjen e Urës së Ibrit?

Përpjekjet për hapjen e Urës së Ibrit ishin bërë për katër herë radhazi.

Një hap i parë ishte bërë para më shumë se dy dekadash.

Në vitin 2001, pas përfundimit të luftës, pati përpjekje fillestare për të hapur urën për të mundësuar lirinë e lëvizjes ndërmjet dy komuniteteve, por tensionet mbetën të larta dhe ura u mbyll përsëri shpejt.

Një moment i rëndësishëm për hapjen e Urës së Ibrit, ishte në vitin 2013, atëherë kur edhe u arrit Marrëveshja e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kjo marrëveshje përfshinte edhe hapjen e Urës së Ibrit, si pjesë e një plani më të gjerë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe integrimin e komuniteteve të ndara në Mitrovicë.

Largimi i barrikadave nga Ura e Ibrit në vitin 2016.

Por, në vitin 2014, barrikadat janë zëvendësuar me gardhe betoni e me pemë, të cilat autoritetet vendase i kanë quajtur “Park i Paqes”.

Ndërkaq, në vitin 2015 filloi projekti i Urës së Mitrovicës, i cili u mbështet nga Bashkimi Evropian dhe përfshinte krijimin e një zone për këmbësor, kjo përpjekje ishte një pjesë e rëndësishme e planit për të integruar komunitetet e ndara dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ky “park” është hequr në vitin 2016 – pas së cilës gjë është menduar që ura të hapet për qarkullim.

Në vitin 2016 ura u hap për këmbësorët.

Çka po kërkojnë ndërkombëtarët?

Si Stano edhe zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ioanna Lachana, kishte deklaruar për Albanian Post se çdo vendim lidhur me urën mbi lumin Ibër duhet të merret pas negociatave në dialogun e ndërmjetësuar nga Unioni.

“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik”.

“Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me Urën duhet të bëhet në kuadër të Dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lachana për AP.

Lachana, ndër të tjera, ka potencuar se BE-ja kërkon si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dala nga procesi i dialogut të Brukselit pa vonesë, përfshirë edhe Marrëveshjen për Urën mbi lumin Ibër.

Flamuri i Kosovës.

Të ngjashme e pati kërkesën edhe misioni i NATO-së në Kosovë, KFOR.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, kanë thënë nga KFOR-i.

Për ruajtjen e paqes e stabilitetit apeloi edhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, duke potencuar se Kosova s’duhet të marrë veprime të njëanshme për sa i përket hapjes së Urës së Ibrit.

“Veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet, të rrezikojnë stabilitetin dhe të minojnë besimin midis komuniteteve duhet të shmangen. Çështjet e pazgjidhura, përfshirë planet për të rihapur urën e Ibrit të Mitrovicës për automjete, duhet të zgjidhen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ajo.

Çështja e hapjes për qarkullim të automjeteve në urën mbi lumin Ibër u riaktualizua të mërkurën, pasi që zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha se ura shumë shpejt do të hapet.

“Nuk ka më vend për brengosje për qytetarët e veriut të vendit. Forma se si do të hapet është pak më ndryshe, por unë konsideroj që shumë shpejt do ta kemi edhe urën e hapur”, kishte thënë Elshani.

KFOR-i në Veri.

Vendimi për hapjen e urës ishte marrë më 28 prill të vitit të kaluar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, që ishte propozuar nga asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli, por ishte kundërshtuar ashpër nga Serbia, madje edhe nga presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç.

Me t’u riaktualizuar kjo temë, pra pas deklaratës së Elshanit, të partë që reaguan ishin, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit.

Ashtu edhe siç pritej, përmes një komunikate për media, nga partia që kontrollohet nga Serbia, kishin thënë se një veprim i tillë është i papranueshëm, dhe, sipas tyre, përshkallëzon situatën.

“Njoftimi i regjimit të Albin Kurtit se planifikon të hapë urën kryesore të qytetit në Mitrovicë për qarkullim të automjeteve është një veprim absolutisht i panevojshëm, i papranueshëm dhe përshkallëzues që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”, kanë propaganduar nga Lista Serbe.

Nga ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, kishin njoftuar se hapja për qarkullimin e urës mbi lumin Ibër, do të bëhet gjatë verës, meqë sipas vlerësimeve të tyre potenciali për trazira është zvogëluar.

Të fundit

Aktuale