Osmani, BE-së: Çështja e urës së Ibrit s’mund të bëhet temë e dialogut – Vuçiçi s’ka çka pyetet se kur do të hapen urat
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi Bashkimi Evropian e ka ripërsëritur qëndrimin e saj se çështja e Urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut në Bruksel. Por, sipas Osmanit, nuk ka çka pyetet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç se kur hapen urat.
“Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Osmanit.
Osmani ka theksuar se dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve dhe partnerëve të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve.
Zëdhënësi i Unionit, Peter Stano, ka thënë këtë të enjte se vendimi për hapjen e urës mbi lumin Ibër – e cila lidh Mitrovicën Veriore me atë Jugore duhet të merret vetëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga Unioni.
“Është një qëndrim afatgjatë i Brukselit që vlen për të dyja palët. Çdo hap apo veprim i ndërmarrë apo i planifikuar për t’u ndërmarrë nga njëra apo tjetra palë në dialog, që mund të ndikojë në rrjedhën e bisedës, duhet të zgjidhet, diskutohet. ose si një nga temat e dialogut nën mbikëqyrjen e BE-së”, theksoi Stano në një konferencë për media.
Në këtë drejtim, ai është pyetur në lidhje me hapjen e urës mbi lumin Ibër, ku deklaroi se kjo çështje duhet të jetë temë e dialogut.
“Rihapja e urës në Ibër është temë e dialogut dhe çdo vendim për të duhet të merret përmes dialogut”, shtoi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit që kishte pasur me ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Gjermani, SHBA, Itali, Francë dhe Britani e Madhe) dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian, më 17 korrik, kishin diskutuar për hapjen e Urës mbi lumin Ibër.
Ura mbi lumin Ibër ishte ndërtuar për të bashkuar qytetin e Mitrovicës, por ajo shpejt u bë simbol i ndarjes në baza etnike.
Ka pasur shumë përpjekje për hapjen e saj, por një gjë e tillë asnjëherë nuk ndodhi, madje atje qëndronin edhe trupat e KFOR-it, që ishin garant për sigurinë në atë pjesë problematike të Kosovës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com