Bota

Sfidat e gruas dhe afrikanes së parë në krye të Organizatës Botërore të Tregtisë


Ngozi Okonjo-Iweala është gruaja e parë, e njëkohësisht personi i parë nga Afrika që vihet në krye Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Më herët, ajo ka shërbyer si Ministre e Financave në Nigeri, por edhe si drejtuese e agjencisë ndërkombëtare financiaro-vaksinuese GAVI. 

E shkuara e saj që lidhet me financat, vaksinimin dhe njohjen e organizatave ndërkombëtare ka bërë që ajo të shihet si njeriu i duhur për këtë pozicion.

Okonjo-Iweala bën pjesë në fashën e profesionistëve që ia njohin potencialin OBT-së dhe që besojnë se nuk i ka ezauruar mundësitë që i ofron pozicioni.

Që prej ditës së emërimit ajo shpalosi qëllimin ambicioz që të stimulojë prodhimin e vaksinave duke lehtësuar barrierat tregtare mes shteteve për ushqimet dhe medikamentet.

OBT qëndroi në hije të skenës ndërkombëtare në fillimin e pandemisë. Megjithëse është një faktor kryesor rregullator i tregtisë globale, ata vazhduan t’i lejojnë shteteve ndalimin e tregtisë në kriza shëndeti.

Mbajtja e kësaj politike përforcoi debatet. Akuzat për fragmentizim të ekonomive në kohën kur duhet të ketë më shumë bashkëpunim e tregti të lirë, kanë vërshuar në drejtim të OBT-së.

Shtete anëtare që përfshijnë Singaporin dhe Zelandën e re kanë kërkuar nga organizata që të ulen kontrollet e eksporteve dhe pengesat për importe për produkte që lidhen me pandeminë. 

Në këtë mënyrë duket se fitojnë të gjithë: në konsum, në akses në tregje si dhe siguri të produkteve. Vetë Znj. Okonjo-Iweala është e vendosur të forcojë mekanizmat monitoruese të OBT-së për lehtësimin e tregtisë.

Vullneti politik i shteteve anëtare do të vijojë të mbetet sfida më e madhe. Pandemia ka nxjerrë në pah problematika të shumta shumëplaneshe në botë, dhe OBT-ja nuk bën dallim. Teksa kritikat ndaj punës së saj kanë qëndruar prej kohësh, momentum-i i reformave mund të krijojë hapësirën për ndryshime strukturore. 

Me udhëheqjen e re të një gruaje nga kontinenti afrikan, ndoshta ka ardhur momenti edhe për ndryshime të rregullave të tregtisë botërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore