Kosova

Serwer: Kosova dhe Serbia s’janë të gatshme për normalizim të marrëdhënieve


Për Daniel Serwerin, profesor në Universitetin “John Hopkins University” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Serbia dhe Kosova nuk janë të interesuara për normalizimin e marrëdhënieve.

“Mendoj që është krejt e qartë që as autoritetet e Serbisë e as autoritetet e Kosovës nuk janë të gatshme për normalizim të marrëdhënieve. Qëllimi i dialogut do të duhej të ishte një zgjidhje e përhershme ligjore mes Kosovës dhe Serbisë. Por, është e qartë se ende nuk jemi të gatshëm për një gjë të tillë”, tha Serwer në një intervistë për Radion Televizionin e Kosovës.

Gjatë kësaj interviste, ai ka theksuar se dialogu mes dy shteteve do të duhej të orientohej më shumë drejt çështjeve më praktike.

“Besoj që dialogu teknik, ai që ishte para vitit 2013 ishte qartësisht shumë më i suksesshëm se sa dialogu politik që ka zënë vend që prej atëherë. Pra, nuk besoj që duhet të kufizohemi tek çështjet teknike apo ekonomike, por që ka çështje të shumta praktike që edhe ato do të ishin teknike e ekonomike që do të mund të gjenin zgjidhje”, shtoi.

Ndërkaq se sa do të ndikojnë zgjedhjet në Bashkimin Evropian në procesin e dialogut, ai theksoi se për emrat që do të vijnë në krye të BE-së është e vështirë të flitet aktualisht.

“Mendoj se Borrell nuk ka qenë aq i suksesshëm në dialogun Kosovë-Serbi. Gjithsesi që mirëpritet ndryshimi në BE, sidomos nëse ndryshimi bëhet me një njeri që është më i afërt me Kosovën”, ka deklaruar Serwer.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore