Sport

Serie A/ Empoli i heq mundësinë Napoli-t të marr kryesimin, Lazio përmbyset nga Sassuolo


Kanë përfunduar dy ndeshjet e orës 18:00 në Serie A italiane. Napoli ka marrë humbjen e dytë radhazi në shtëpi. Kësaj here përballë Empoli-t me rezultatin 1-0.

Në sfidën tjetër, Sassuolo vendase ka arritur të triumfojë me rezultatin 2-1 përballë Lazio-s.

Në “Diego Armando Maradona”, mjaftoi një gol në minutën e 70 nga Patrick Cutrone, që miqtë të dilnin me tri pikë. Ish-lojtari i Milan-it, i hoqi mundësinë të kaltërve për të barazuar kuqezinjë me pikë në renditje dhe të shkonin në krye të Serie A.

Në fushë për Empoli-n ishin dhe dy lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë, Nedim Bajrami dhe Ardian Ismajli. Mesfushori luajti 64 minuta, ndërsa qendërmbrojtësi 90 minuta të plota. Performancë tepër të mira për të dy lojtarët.

Për Napoli-n luajti për 90 minuta të plota, qendërmbrojtësi dhe kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani.

Kjo është ndeshja e tretë radhazi për Napoli-n, që nuk arrin dot të marrë tri pikë. Në krahun tjetër, për Empoli-n fitorja ishte me shumë rendesi, pasi e afroi me zonën e Kupave të Evropës.

Në renditje, Napoli ka 36 pikë dhe qëndron në vendin e katërt. Empoli ka 26 pikë dhe renditet i shtati. Dy pikë më shumë ka Juventus-i që mban vendin e gjashtë.

Në sfidën tjetër, Sassuolo ia ka dalë të marrë tri pikët në shtëpi përballë Lazio-s dhe mbi të gjitha me një paraqitje dinjitoze.

Të besuarit e Alessio Dionisi-t, përmbysen rezultatin në pjesën e dytë të takimit, pasi në të parën e gjeten veten në disavantazh.

Mattia Zaccagni shënoi golin e parë të takimit. Sulmuesi i Lazio-s e dërgoi topin në rrjetë në minutën e gjashtë.

Kundërpërgjigjja e Sassuolo-s do të vinte në minutën e 63. Domenico Berardi shënon dhe barazon shifrat, pas asistit të Giacomo Raspadori-t. Gjashtë minuta më vonë, Berardi dhe Raspadori ndërrojnë rolet. Kapiteni asiston dhe talenti 21-vjeçar e dërgon topin në rrjetë.

Kjo është fitorja e dyte në pesë ndeshjet e fundit për Sassuolo-n, ndërkohë që tre ndeshjet e tjera i ka barazime. Për Lazio-n është humbja e tretë në pesë takimet e fundit. Në dy sfidat e tjera ka marrë një fitore dhe një barazim.

Në fushë për Lazio-n ishte kapiteni i Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj. Shkodrani luajti për 78 minuta, para se t’i linte vendin, sulmuesit dardan, Vedat Muriqit.

Me fitoren e arritur, Sassuolo shkon në kuotën e 23 pikëve dhe në vendin e 11. Dy pikë më shumë ka Lazio në renditje, që mban dhe vendin e tetë.

Sfida e fundit për këtë të diel në Serie A do të luhet mes Inter-it dhe Cagliari-t, duke filluar nga ora 20:45. Skuadra e Simone Inzaghi-t, nëse triumfon do të ketë mundësinë të marre vendin e parë në renditje për herë të parë për këtë sezon.

Java e 17 në Serie A mbyllet të hënën me përballjen mes Roma-s dhe Spezia-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore