Lajme

Serbia vazhdon fushatën e “ç’njohjeve”, në kundërshtim me Marrëveshjen e Uashingtonit


Nikola Selakoviç - Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç, gjatë vizitës së tij të fundit në shtetin afrikanë të Zambisë, ka deklaruar se ka marr garanci nga zyrtarët e këtij shteti se nuk do të ndryshojë pozicioni i tyre për mos-njohjen e pavarësisë së shpallur “në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Kosovë”.

Selakoviç ka aluduar se problemet me separatistët në vendet afrikane janë “identike” me rastin e Kosovës.

Ai ka deklaruar se Serbia mbulon mjaftueshëm kontinentin afrikan me diplomaci, duke bërë me dije se ndikimi i saj në rajon është i madh karshi Kosovës e cila ka një përfaqësim të dobët diplomatik në Afrikë.

“Serbia është një vend me një prani serioze diplomatike në Afrikë … është një nga vendet e pakta në rajon që ka një prani serioze diplomatike në Afrikë”.

Serbia në kontinentin afrikan ka gjithsejtë 13 ambasada në kryeqytetet të shteteve kyçe.

Serbia në fushatën e saj kundër pavarësisë së Kosovës, “suksesin” më të madh e kishte në kontinentin afrikan.

Përkundër Marrëveshjes së Uashingtonit, ku ishte nënshkruar memorandum që të ndalë fushatën e ç’njohjeve, shteti serb nuk e ka respektuar zotimin.

Madje, Serbia nuk e ka respektuar as pikën e marrëveshjes e cila thotë se duhet ta zhvendos ambasadën e saj nga Tel-Avivi në Jerusalem para datës 1 korrik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore