Kosova

“Serbia s’radhitet në mesin e shteteve që ndërtojnë të ardhmen mbi vlera njerëzore” – kërkohet drejtësi për masakrën në Studime


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

25 vjet pas masakrës në Studime, krerët e shtetit kanë kërkuar sërish drejtësi – ashtu siç kanë kërkuar për shumë vrasje e masakra të tjera në mbarë Kosovën për të cilat s’ka pasur dënime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në përvjetorin e masakrës së Studimes ka kujtuar se numri i masakrave që është kryer nga Serbia është dëshmi e karakterit gjenocidal të shtetit serb.

Kurti, në fjalimin e tij ka theksuar se do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi derisa ajo të vendoset.

“Duhet drejtësi për viktimat dhe jo respekt për shtetin që nuk ka kuptuar asgjë sepse mohon çdo gjë. Duhet njohja e plotë dhe universale e masakrave në kushtet kur është po ajo Serbi që ndërmerr përsëri nisma si agresioni terrorist në Banjskë apo radhitja e forcave në kufi të vendi tonë”.

“Përballë terrorizmit shtetëror ka vetëm një veprim: të bëhet drejtësia si domosdoshmëri universale për të gjitha viktimat. Ky është kushti i parë për paqen. Ky është kushti për stabilizimin e vërtetë të së ardhmes në rajon”, ka thënë ai.

Tutje, kreu i ekzekutivit ka pohuar se pa drejtësi në Kosovë, Serbia s’mund të vendoset në mesin e shteteve që ndërtojnë të ardhmen e tyre.

“Pa drejtësinë për viktimat shqiptare, për fëmijët dhe pleqtë e Studimes, Serbia nuk radhitet dot mes shteteve dhe kombeve që ndërtojnë të ardhmen e tyre mbi vlerat njerëzore. Masa e krimit e detyroi edhe NATO-n atëbotë të ndërhynte. Nuk mund të mos jepet drejtësia për një masë te tillë krimi”.

Foto nga: Zyra e Kryeministrit.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në përvjetorin e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, ka thënë se do t’i kujtojnë martirët përherë, sikurse do t’i kujtojnë të gjitha masakrat nëpër Kosovë.

“Fjalët nuk mund ta shprehin në mënyrë të duhur pikëllimin që ndjejmë për 116  jetët e humbura të banorëve të Studimes nga ky akt barbar i forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë”.

“Megjithëse plagët e luftës dhe të ditës së kobshme në Studime mund të mos shërohen kurrë plotësisht, shpirti i banorëve mbetet i pathyer”, ka shkruar ajo.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në fjalimin ka kërkuar drejtësi për viktimat që kanë mbetur nga kjo masakër.

“116 viktimat ishin civilë të paarmatosur që u shkëputën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugën për në Shqipëri, të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre. Autorët e kësaj masakre vazhdojnë të enden të lirë, gjersa shteti Serbisë luan ende rolin e viktimës”.

Sipas tij, “nuk mund të ketë paqe gjersa nuk ka drejtësi, autorët e krimit duhet dënuar”.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore