Kosova

“Serbia shkeli neni 3 të Marrëveshjes Bazë” –  Osmani takon Borrell-in në Spanjë


Vjosa Osmani dhe Josep Borrell

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të shtunën ka bërë të ditur se është takuar me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian në margjinat e Komunitetit Politik Evropian për të diskutuar mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Kosovës më 24 shtator.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, Osmani ka bërë të ditur se i ka thënë diplomatit spanjoll se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për shkeljen e qartë të nenit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit e cila u dakordësua fillimisht më 27 shkurt e më pastaj u përforcua me aneksin e zbatimit më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Neni 3 e marrëveshjes së 27 shkurtit parashikon detyrimin për t’u përmbajtur nga kërcënimi ose përdorimi i forcës”, ka shkruar Osmani.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore