Lajme

“Serbia pret të kthehet në Kosovë si Azerbajxhani në Nagorno-Karabakh”


Aleksandër Vuçiç dhe Ilham Aliyev

Michael Martens, gazetar i prestigjozes gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën, shkroi për mundësinë e ripërtëritjes së konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë në optikën e realiteteve të reja gjeopolitike, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë dhe zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Në gusht të vitit 2022, unë argumentova se një luftë e re nuk po e priste rajonin. Kjo ishte e drejtë në për kohën, por tani, në shkurt të vitit 2024, ky vlerësim duhet të rishikohet pjesërisht. Gjakderdhja në Kosovë mund të jetë vërtet mbi tavolinë”, shkroi fillimisht gazetari gjerman, duke iu referuar kryesisht deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, kohën e fundit.

Duke filluar nga harku i krizës që shtrihet nga marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, Azerbajxhanit e Armenisë, luftës në Ukrainë, deri në konfliktin e fundit mes Izraelit dhe Palestinës, mundësitë për shkatërrim dhe përfshirje të të gjithëve janë shtuar kaq frikshëm – se kërcënimi i luftës është bërë një ankth për liderët përndimorë, duke e bërë edhe më akute ndjenjën e frikës.

Michael Martens

Mertens konsideroi se deklaratat e presidentit serb duhet të merren shumë seriozisht nga politikëbërësit perëndimorë, derisa në bazë të deklaratave të Vuçiçit pas rimarrjes së Nagorno-Karabakut nga Azerbajxhani, shtoi se pala serbe shpreson që ndryshimet potenciale në arkitekturën gjeopolitike të prodhojnë politika që do t’i përshtaten Serbisë për të lëvizur drejt Kosovës.

“Kjo është pikërisht arsyeja pse njerëzit duhet ta dëgjojnë dhe ta marrin seriozisht kur flet. Për shembull, kur ai shpreh admirimin e tij për klanin qeverisës në Azerbajxhan dhe se si diktatori azer Ilham Aliyev, trajtoi çështjen e rimarrjes së Nagorno-Karabakut”, theksoi Mertes, duke cituar Vuçiçin pas rimarrjes së Nagorno-Karabakut nga Azerbajxhani në tetor 2023.

“Pra, nëse situata gjeopolitike ndryshon dhe nëse Vuçiç beson se kushtet janë të përshtatshme për të vepruar në Kosovë pa i shkaktuar shumë dëme ekonomisë serbe, mos u gaboni: kjo mund të ndodhë. Vini re theksin e Vuçiçit mbi rëndësinë e krijimit të forcave speciale”, shtoi gazetari gjerman, duke i bërë jehonë rikthimit potencial të Donald Trump në krye të SHBA-së.

Për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndër-etnike, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore