Lajme

Serbia nderon terroristët e vrarë ne Kosovë, shpallë ditë zie


Aleksander Vucic dhe Ana Brnabic

Qeveria e Serbisë e ka shpallur 27 shtatorin ditë zie për t’i nderuar katër terroristët e vrarë që e sulmuan Policinë e Kosovës, të dielën e 24 shtatorit.

“Qeveria e Serbisë kërkon nga të gjitha mediat dhe organizatorët e ngjarjeve publike që programin e tyre ta përshtatin ditën e zisë të mërkurën, më 27 shtator dhe në këtë mënyrë t’i respektojnë viktimat në Kosovë”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit serb.

Pra, me këtë vendim qeveria serbe, jo që nuk ka dënuar sulmet e terroristëve ndaj Policisë së Kosovës, por ka vendosur që t’i nderojë ata.

Ndërsa, gjatë ditës, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Serbisë – shpallën 3 ditë zie për terroristët e vrarë në Veri.

Përmes një komunikate për media të dirigjuarit e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, përkundër se ata kryen sulm terrorist, kanë deklaruar se 26, 27 dhe 28 shtatori “shpallen ditë zie për vdekjen e bashkëqytetarëve tanë në ngjarjen tragjike në Banjskë, në komunën e Zveçanit”.

“Në mjediset serbe në territorin e Kosovës: do të anulohen të gjitha ngjarjet e argëtimit të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale, flamujt e Republikës së Serbisë në të gjitha institucionet do të ulen në gjysmështizë”, kanë shkruar ata.

Lista Serbe shpallë 3 ditë zie për terroristët e vrarë në Veri

Ndryshe, të hënën mediumi boshnjak “Istraga.ba”, raportoi se nënkryetari i Listës Serbe, krimineli dhe terroristi, Milan Radojiçiç është plagosur të dielën në Veri, konkretisht në fshatin Banjskë të Zveçanit ku rreth 30 terroristë gjuajtën në drejtim të Policisë së Kosovës.

Në një audio-incizim që e ka publikuar ky medium, thuhet se kanë provuar disa herë ta kontaktojnë Radojiçiç-in, po kontakti me të ka qenë i pamundur.

“Fillimisht një person i panjohur i cili i është përgjigjur numrit të tij të telefonit ka thënë se nuk është Radojiçiç, ndërsa më pas i njëjti person ka pohuar se Radojiçiç është mirë”, raporton mediumi boshnjak.

Sipas këtij mediumi, Radojiçiç, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb nga Kosova Oliver Ivanoviç, ndodhet në Serbi ku po trajtohet.

Të dielën një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi terrorist nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se katër sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.

Policia e Kosovës është duke vazhduar operacionin edhe gjatë së hënës.

Sipas informacioneve të fundit, Policia ka gjetur prova të reja, pajisje e materiale që janë konfiskuar në orët e fundit nga vendi i ngjarjes në të cilin për orë të tëra gjatë ditës së djeshme pati shkëmbime me armë zjarri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore