Kosova

Serbët protestojnë në Veri


Ilustrim

Komuniteti serb në Kosovë do të protestojë të mërkurën, për siç kanë thënë ata “gjendjen e keqe të serbëve”.

Protesta pritet të fillojë nga ora 11:00, ndërsa protestuesit pritet të mblidhen në sheshin “Car Lazar” në Veri të Mitrovicës.

Mediat në serbi raportuan të martën se protesta ka të bëjë edhe me pakënaqësinë e serbëve lidhur me mundësinë e hapjes së urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

Gjatë protestë për të ruajtur mbarëvajtjen dhe sigurinë prezentë do të jetë edhe Policia e Kosovës.

“Policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm që të mbajë rendin dhe qetësinë publike. Edhe pse nuk presim probleme”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun, Veton Elshani.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar në mënyrë kategorike pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se shqiptarët do të tubohen të mërkurën në urën mbi lumin Ibër.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, Kurti ka vlerësuar se këto pretendime të Vuçiç-it janë të “rremë” në synim për të krijuar “një atmosferë frike” dhe për të shkaktuar “një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do ta bëjë”.

Sipas Kurtit këto akuza të rreme shpesh janë edhe pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia.

“Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç pretendon ai rrejshëm. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë synuar të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore