Vende

Serbët dhe festivali tradicional i testikujve


Nëse dikush gjendet në Serbi gjatë kësaj fundjave, ka mundësi të marrë pjesë në një festival tradicional të përvitshëm gatimi, i cili në mënyrë të pazakontë, përfshin një pjatë jo aq të lakmuar prej të shumtëve – atë të testikujve të gatuar në mënyra të ndryshme.

Njerëz të shumtë mblidhen aty për të përcjellë recetat e tyre tek vizitorët.

Për fituesit, mbetet kënaqësia e veçantë e të gatuarit pjatën e tyre për gjithë pjesëmarrësit.

Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve – çuditërisht – janë burrat. Kjo, edhe për arsye se ngrënia e testikujve, mendohet se rrit libidon seksuale mashkullore.

Një sërë varietetesh të testikujve të kafshëve ofrohen. Vitet e fundit madje, ka edhe hyrje të reja si për shembull testikuj kanguri, deveje apo struci.

Festivali që për qëllim ka edhe argëtimin, ka ardhur duke u rritur vit pas viti. Sa vjen e më shumë pjesëmarrës shfaqen në fshatin serb, Ozrem, ku edhe zhvillohet.

Më të çmuarit, janë testikujt e demave, të cilët përshkruhen si një delikatesë e kuzhinës.

Ndër çmimet që jepen, ka pasur edhe nga ato për personalitete të larta politike. Madje, në vitin 2010, i nderuar me një çmim, edhe pse jo në praninë e tij, ishte ish-presidenti i SHBA-ve, Barack Obama.

Motivacioni? Ai është njeriu më me këllqe në botë!

Këllqe, të cilat duhen edhe për të shijuar pjatat e stërmbushura me testikuj në Serbi…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore