Lajme

Senati amerikan miraton Projektligjin që i lejon Kosovës ushtrimet me forcat e SHBA-së


Ushtaret e Forces se Sigurise se Kosoves.

Senati amerikan ka miratuar Projektligjin e Mbrojtjes së vitit fiskal 2024, ku parashihet që edhe Kosova të jetë në listën e vendeve të Evropës Lindore që kualifikohen për trajnime ushtarake.

Për miratimin e këtij projektligji senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, ka lëshuar një komunikatë ku tregon për ndihmën që ajo e ofroi “në sigurimin e një dispozite që do të zgjeronte një autoritet ekzistues për Departamentin e Mbrojtjes për të trajnuar forcat ushtarake partnere amerikane të Evropës Lindore si pjesë e stërvitjeve shumëpalëshe dhe do ta zgjeronte atë autoritet për të lejuar pjesëmarrjen e forcave ushtarake të Kosovës”.

“Përpjekjet e Shaheen janë veçanërisht të rëndësishme dhe në kohën e duhur mes përkeqësimit të kushteve të sigurisë në Veri të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, aty potencohet se senatorja Shaheen “kohët e fundit drejtoi një grup ligjvënësish dypartiakë [republikanë dhe demokratë] në një deklaratë të përbashkët duke kërkuar qetësi midis Kosovës dhe Serbisë në mes të kushteve shqetësuese të sigurisë midis dy kombeve”, kjo pas tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës që nga 26 maji.

Ndërsa, bëhet me dije se seanca dëgjimore për Ballkanin Perëndimor në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit e muajit të kaluar ishte mbajtur pas insistimit të senatores Shaheen “për të avancuar legjislacionin e saj që do të promovonte bashkëpunimin midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor”.

Ndryshe, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kishte përshëndetur projektligjin e Senatit Amerikan, i cili parasheh bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën ushtarake.

Sipas Mehajt, me këtë projektligj Forca e Sigurisë së Kosovës do të angazhohet në trajnime dhe stërvitje të përbashkëta ushtarake të udhëhequra nga SHBA-të.

“Ngritja e kapaciteteve tona, shkollimi, trajnimet, misionet dhe operacionet ushtarake, janë zhvilluar dhe do të zhvillohen gjithnjë në bashkëpunim dhe me mbështetje SHBA-të si partneri ynë strategjik”, shkruante Mehaj në rrjetin e tij social në Facebook, me 19 korrik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore