Lajme

Selmanaj për rrogat e larta të këshilltarëve në MPJD dhe MINT: Hipokritë, mashtrues, të padijshëm dhe gllabërues të parasë publike


Driton Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, ka reaguar duke i cilësuar “hipokritë, mashtrues, të padijshëm dhe gllabërues të parasë publike” disa nga ministret e Qeverisë së Kosovës, ndërsa ka shtuar se “në mundësinë e parë vjedhin, keqpërdorin dhe dëmtojnë rëndë interesin publik”.

Ai ka përmendur konsulentin e jashtëm të Kosovës, Gani Jakupi, i cili paguhet 7 mijë e 500 euro në muaj nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJD). Gjithashtu, deputeti i LDK-së ka përmendur edhe një person tjetër të angazhuar si ekspert nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), i cili paguhet 1 mijë euro në ditë.

“Këta që na shitnin moral dhe kinse kujdestarë të parasë publike. Këta që na flisnin për gjakderdhje financiare. Këta që nuk lanë kë pa e njollosur e baltosur me akuza për korrupsion e keqpërdorim të parasë së qytetarëve. E tash? Në mundësinë e parë vjedhin, keqpërdorin dhe dëmtojnë rëndë interesin publik”, ka shkruar i indinjuar deputeti i LDK-së.

Selmanaj ka reaguar edhe ndaj vendimit të kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla – Schwarz, për t’ia ndarë 1 mijë euro për 10 muaj rresht kryetarit të Listës ‘Guxo’ në Gjermani, Berlind Gajraku, si përfitues i bursës së programit për “Diplomaci Qytetare 2023” nga MPJD-ja, duke pyetur: “A keni fytyrë? A keni marre? A ju vie turp?”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore